Analistët: Ukraina e Serbia e shfrytëzuan temën e njohjes së Kosovës
BKT
Lajme

Analistët: Ukraina e Serbia e shfrytëzuan temën e njohjes së Kosovës

Berianë Mustafa / RTK Radio

Njohja e pavarësisë së Kosovës është përdorur vetëm si instrument nga Ukraina për t’i dërguar porosi Serbisë, në raport me qëndrimet e saj ndaj Rusisë. Kështu thonë profesorë universitarë për Radio Kosovën sipas të cilëve presidenti serb është duke luajtur me politika të dyfishta karshi vendeve perëndimore.

Derisa ditë më parë në parlamentin ukrainas në Kiev, u diskutua për njohjen eventuale të shtetit të Kosovës nga Ukraina, takimi i të martës në Athinë ndërmjet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe homologut të tij nga Ukraina, Volodymyr Zelensky, ka ngjallur reagime.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, thotë se debati për njohjen e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer Ukrainës si vegël për t’i dërguar mesazhe Serbisë se varësisht nga përkrahja që Serbia ia jep Ukrainës, ajo do të ndryshojë qëndrimin e saj.

“Rrezikun për njohjen e Kosovës nga Ukraina e ka shfrytëzuar Serbia për t’u larguar nga Rusia, e përafruar me BE-në. Në fund të ditës, Kosova nuk ka përfituar asgjë, është shfrytëzuar si temë nga të dyja palët për interesa bilaterale dhe në një formë, Kosova ka qenë dëmi kolateral në këtë debat”, tha ai për RTK Radio. 

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, për emisionin “Fokus” të Radio Kosovës ka thënë se presidenti serb është duke “ u tallur” me Bashkimin Evropian dhe se është duke vazhduar politikat e tij me shtetet e bllokut BRICS ( Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut)

“Aleksandër Vuçiq po vazhdon të shpotit, tallet me vetë Bashkimin Evropian, dhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila në fakt po e financon dhe forcon pushtetin e Vuçiqit dhe oligarkëve të tij”, tha ai.

Baraliu thotë se BE duhet t’ia ndërrojë kursin politikës së saj në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, integrimi në pako i të gjitha këtyre vendeve në BE do t’u jepte fund këtyre politikave siç i quan ai, anti-perëndimore.

“Qasja e BE-së dhe politikat që i zhvillon ndaj Ballkanit Perëndimor, janë të gabuara. Motivimi dhe vendimmarrja e qartë dhe e shpejtë pa improvizime do të ishin masat e duhura”, shtoi Baraliu.

Eurodeputetja Viola von Cramon tha se takimi i tyre mund të jetë zhvilluar për një marrëveshje mbi armët në këmbim që Ukraina të mos e njoh pavarësinë e Kosovës.

Ndaj këtij takimi ka reaguar edhe deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, i cili tha se Zelensky nuk duhet të komprometojë parimet e Ukrainës dhe duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, meqë sipas tij, Serbia është aleate e Rusisë.

Ndërsa ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se në shoqërinë ukrainase po rriten zërat gjithnjë e më shumë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar, Kosova ka  përkrahur Ukrainën në luftën kundër Rusisë.


MË SHUME NGA Lajme