Shqiptarët në Leposaviq, pa ujë
Edina Avdiu/RTK
Banorët e fshatrave të Leposaviqit po përballen me mungesë të madhe të ujit për shkak të djegies së pompave në stacionin e burimit në Bistricë. Kryetarit të ri, Lulzim Hetemit, i cili qëndron brenda komunës, i ka shkuar informacioni se banorët e fshatrave shqiptare të komunës që ai udhëheq, kanë mbetur pa ujë. Ai e ka njoftuar ujësjellësin për këtë problematikë, por edhe nëse gjithçka shkon mirë, furnizimi me ujë nuk mund të kthehet të paktën edhe 15 ditë.
Sokol Fetahu ka më shumë se një muaj që furnizohet me ujë duke përdorur kovat. Mungesa e ujit ia ka vështirësuar jetën atij dhe familjes 4 anëtarshe në fshatin Koshtovë të Leposaviqit.
Ndërprerja e ujit ka ardhur si pasojë e djegies së pompave në stacionin e burimit në Bistricë. “Kah po mundemi po marrim ujë”, ka theksuar Fetahu.
73 vjeçari shpresat i mban te kryetari i tij i ri, i cili po qëndron i ngujuar në objektin e komunës, e tek i cili e ka të pamundur të shkojë për të kërkuar zgjidhje.
Megjithatë, Lulzim Hetemit i ka shkuar informacioni se banorët e fshatrave shqiptare të komunës që ai udhëheq, kanë mbetur pa ujë.
Këtë problem të banorëve Hetemi e ka adresuar në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal në Mitrovicë, ani pse kjo e fundit nuk e menaxhon furnizimin me ujë në komunën e Leposaviqit.
"Kërkoj nga KRU Mitrovica që në afatin më të shkurtër, duke përdorur procedura të përshpejtuara të prokurorimit, të investohet në blerjen e pompave të reja dhe rregullimin e furnizimit me rrymë nga burimi".
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Mitrovicë kanë shprehur gatishmëri për t'i blerë dy pompa për furnizim me ujë, çmimi i të cilave sillet rreth 6 mijë euro.
Megjithatë, kreyshefi i kësaj kompanie rithekson se nuk mund të garantojnë për cilësinë e ujit, pasi thotë se bëhet fjalë për ujë të burimit nga fshati, që nuk mund të kontrollohet nga Ujësjellësi.
"Me aprovim të Bordit ne e kemi inicu kërkesën tutje në prokurim për furnizim me dy pompa dhe besoj se së shpejti ju kthehet furnzimi banorëve. E kemi bërë në shenjë të vullnetit të mirë, jo të obligimit, për faktin se nuk e menaxhojmë atë zonë. Uji nuk është i Ujësjellsëit është ujë i burimit nga fshati, ujë i pakontrolluar prej neve, kështu që ne nuk garantojmë as cilësinë e ujit, thjeshtë jemi duke e bë një blerje të popmave për me u kthy furnizimi banorëve në atë pjesë", tha Kushtrim Kurti, kryeshef ekezkutiv në KRU ‘Mitrovica’.
Nëse gjithçka shkon në rregull sipas procedurave, Kurti thotë se banorëve në këto fshatra do t'u kthehet furnizimi me ujë më së largu pas 15 ditësh.
Deri atëherë, banorët e Koshtovës e Cerajës duhet të gjejnë forma alternative për furnizim me ujë.























