Kurti: Xhevat Qorraj, ndër emrat që ka shënuar historinë e kinematografisë
BKT
Lajme

Kurti: Xhevat Qorraj, ndër emrat që ka shënuar historinë e kinematografisë

E. Hoti / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe miqtë, si dhe për të tërë komunitetin e artistëve në Kosovë pas ndarjes nga jeta të aktorit Xhevat Qorraj.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se Qorraj mbetët ndër ata emra që kanë shënuar vetë historinë e kinematografisë së artit në Kosovë.

“Me pikëllim e lexova lajmin për vdekjen e Xhevat Qorrajt, artistit të madh të skenës teatrore dhe kinematografike të Kosovës. Kam qenë 10 vjeçar kur pat bërë jehonë në Kosovë dhe rajon aktori Xhevat Qorraj në rolin e Prokës, kryepersonazh te filmi “Proka” i vitit 1985, me regji të Isa Qosjas, film të cilin e kam rishikuar disa herë. Loja mjeshtërore e Xhevat Qorrajt në filmin “Proka”, është shembulli ideal i atij paradoksi të artit, ku arti i kinemasë e nxjerrë nga harresa dhe mosnjohja një vepër arti tjetër, si në këtë rast novelën “Proka” të shkruar nga doktori prej Elbasani, Filip Papajani dhe të botuar që më 1936, e mbi bazën e së cilës u përshtat ky film”, ka  thënë Kurti.

Kurti përmendi rolet tjera të Qorrajt, duke e theksuar që ai i përket gjeneratës së parë të aktorëve profesionistë kosovarë.

“Të tjera role filmike në filmat “Rojet e mjegullës”, “Si të vdiset”, “Tri dritare dhe një varje” dhe deri te filmi “Eternally Child”, e kanë përjetësuar figurën dhe lojën e aktorit Xhevat Qorraj në botën e filmit te ne. Mes kujtimesh për aktorin Xhevat Qorraj nëpërmjet filmave ku ai ka luajtur, dua tu shprehë ngushëllimet më të sinqerta nga ana ime familjes Qorraj, kolegëve dhe miqve të aktorit Xhevat Qorraj si dhe tërë komunitetit të artistëve në Kosovë", ka shkruar Kurti.


MË SHUME NGA Lajme