Nga zjarri në QKUK vdes një pacient
BKT
Lajme

Nga zjarri në QKUK vdes një pacient

RTK/RTKlive

(E plotësuar) Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri që ka rënë në Shërbimin Emergjent në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK.

Raportohet se një person tjetër ka pësuar lëndime trupore nga ky zjarr. Zjarri ka rënë në njërën nga dhomat e Shërbimit Emergjent të kësaj Klinike, derisa shkaqet e zjarrit akoma nuk janë bërë të ditura.

SHSKUK-ja ka njoftuar se në të njëjtin repart, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin dhomës së tipit të mbyllur dhe për shkak të tymit ka vdekur.

“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.

Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.

Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente", ka njoftuar SHSKUK-ja.

Për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.

"Rreth orës 00:15, është raportuar se në klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, një dhomë është përfshirë nga zjarri. Policia dhe prokurori i shtetit menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu janë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit në këtë rast, një person ka vdekur si dhe pesë të tjerë kanë pranuar tretman mjekësor”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas saj, policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.


MË SHUME NGA Lajme