Tollkaç: Ukraina po mbron gjithë Evropën nga Rusia
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Ukraina po shënon edhe një herë Ditën e Pavarësisë në kushte lufte, tha ambasadori i Ukrainës në Beograd Vollodimir Tollkaç.
Sipas tij, duke u mbrojtur nga agresioni rus, Ukraina po mbron të gjithë Evropën. Për të shënuar këtë ditë dhe për treguar solidaritetin me popullin ukrainas, sot është mbajtur një tubim në Beograd., raporton RTKlive.
Sot është Dita jonë e Pavarësisë, dhe unë erdha të mbështes popullin tim nga Ukraina, thotë me trishtim dhe krenari Katerina Kabernyuk, e cila la vendlindjen e saj Kiev në mars 2022 dhe erdhi në Beograd me fëmijët e saj.
“Ne jemi mirë në Serbi, të gjithë na pyetën nëse kemi nevojë për ndihmë, se ata janë aty për ne dhe kjo do të thotë shumë për mua”, thotë Katerina.
Burri i Katerinës është në Ukrainë. Ajo nuk është e sigurt se çfarë do të sjellë e nesërmja.
“Situata në Ukrainë është katastrofale. Burri im tani është në Ukrainë, ai nuk i ka parë fëmijët e tij për një vit e gjysmë, vetëm përmes internetit. Shpresoj që lufta të përfundojë shpejt, por të them të drejtën nuk e di”, thotë Katerina.
Sipas disa të dhënave, rreth 6,500 ukrainas kanë gjetur strehim në Serbi. Disa nga ata që lanë shtëpitë e tyre për shkak të luftës u mblodhën në qendër të Beogradit me rastin e Ditës së Pavarësisë për të treguar vuajtjet e popullit të tyre nën agresionin rus. Mes tyre është edhe Oleg Land, nga Toreck. Ky i ri ukrainas ka një vit që jeton në Serbi.
“Unë shpresoj dhe besoj në fitore, kjo është ajo për të cilën shpresojnë të gjithë ukrainasit, dhe besoj se po ashtu e gjithë bota. Kjo luftë është dhimbja më e madhe në jetën time dhe kjo ndjenjë nuk ndryshon edhe pse koha kalon. Mendimet e mia janë me popullin tim dhe me luftëtarët që mbrojnë atdheun tonë”, thotë Oleg.
Me rastin e 32-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Ukrainës, sot në Beograd është mbajtur një tubim solidariteti, i cili ka bërë bashkë komunitetin ukrainas dhe korin diplomatik.
Tubimi filloi në parkun pranë Presidencës dhe më pas vazhdoi në Sheshin e Republikës, ku u luajtën himnet e Serbisë dhe Ukrainës dhe u mbajt një minutë heshtje për të nderuar viktimat e luftës.
Ambasadori i Ukrainës në Beograd Vollodimir Tollkaç tha se Ukraina ka mbrojtur pavarësinë e saj për nëntë vjet dhe se Rusia nuk e sheh Ukrainën si një shtet të pavarur.
“Duke mbrojtur Ukrainën, ne po mbrojmë të gjithë Evropën nga bota ruse. Një Ukrainë e lirë dhe e pavarur, me një shoqëri të fortë civile, përbën një kërcënim për Rusinë fqinje të sëmurë imperiale. Ajo është shembull për të tjerët. Pavarësia dhe liria janë si ajri, nuk i vëren, por janë të tilla që nuk mund të jetosh pa to”, tha ambasadori Tollkaç.
Ambasadori ukrainas falënderoi të gjithë ata që e ndihmojnë Ukrainën, duke thënë se falënderon edhe Serbinë për ndihmën e dhënë.
Përfaqësues të BE-së dhe shumë vendeve perëndimore dolën për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, duke njoftuar vazhdimin e mbështetjes së fortë ndërkombëtare për Ukrainën.
Shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Emanuele Giofre, tha se BE-ja do të jetë me Ukrainën për aq kohë sa të zgjasë agresioni i Rusisë. Siç tha ai, BE-ja tashmë ka dhënë 74 miliardë euro ndihmë dhe ndihma ushtarake do të vazhdojë.
“Ukraina, Ballkani Perëndimor, Serbia dhe Evropa, ne të gjithë ndajmë të njëjtën trashëgimi, histori dhe të ardhme”. Na takon neve ta realizojmë atë të ardhme”, tha ai.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Ukraina nuk është e vetme dhe ka mbështetje në të gjithë botën.
“Është nder të jem këtu me ambasadorin Tollkaç, miqtë dhe aleatët për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Siç tha Presidenti Biden, ne do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet, derisa ajo të rifitojë integritetin e saj territorial dhe paqen”, tha Hill.
Në festimin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës në qendër të Beogradit nuk morën pjesë zyrtarë serbë. Edhe pse mbështet Ukrainën, ofron strehim për refugjatët dhe dërgon ndihma në Ukrainë, Serbia ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, kjo është arsyeja pse ajo është shpesh e kritikuar, veçanërisht për shkak se është shtet kandidat për anëtarësim në BE.























