Ambasadat franceze e gjermane mbështesin deklarimet e Stanos
M.P. / RTKlive
Ambasada e Francës në Kosovë ka publikuar deklarimin e plotë të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano lidhur me dorëheqjen e zyrtarëve serb në Policinë e Kosovës dhe vendimet administrative të fundit lidhur me komunën e Mitrovicës së Veriut. Të njëjtin e ka ripostuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Ky vendim bie ndesh me përpjekjet e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë”, ka vlerësuar ndër të tjera zëdhënësi Stano, në deklaratën e djeshme, e të cilën e ka shpërndarë sot Ambasada e Francës.
Stano ripërsëriti thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë për të gjitha vendimet që ndikojnë në situatën e brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe adresojnë këtë çështje në kuadër të dialogut.
Ndërkaq në deklarimin e Stanos për Policinë e Kosovës, thuhet se institucionet e Kosovës duhet të jetë multietnike.
“Çdo lloj sjelljeje frikësuese apo kërcënuese ndaj policëve serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe akterët e lidhur me Serbinë, është e papranueshme dhe duhet të ndalet menjëherë. Çdo frikësim i tillë është kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.
Këtë deklarim të zëdhënësit të BE-së e ka ripostuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, duke ndarë kështu qëndrime të njëjta për këto çështje.

























