Policia jep detaje pas zjarrit në Klinikën e Psikiatrisë
E. Hoti / RTKlive
Një person mbeti i vdekur ndërsa një femër ka marrë lëndime trupore si pasojë e zjarrit të shkaktuar mbrëmë pas mesnate në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Policia e Kosovës ka sqaruar se si pasojë e tymit ndihmë dhe tretman mjekësor kanë pranuar edhe pesë persona nga personeli mjekësor i repartit të psikiatrisë.
“QKUK, Prishtinë, 24.08.2023 - 00:15. Është raportuar se në Klinikën e Psikiatrisë një nga dhomat e izolimit është përfshi nga zjarri dhe si pasojë një pacient, viktima mashkull kosovar ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku, ndërsa lëndime trupore ka pësuar viktima femër kosovare e cila është duke u trajtuar në qendrën emergjente të QKUK-së”, thuhet në raportin ditor të PK-së.
Tutje në njoftim u tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante të policisë, zjarrfikësi, eksperti i zjarreve dhe Prokurori i Shtetit i cili e ka cilësuar rastin dhe me urdhrin e tij trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.
Rasti vazhdon të hetohet si “ Zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.























