Forumi i Bledit, analistët: Mundësi e mirë për Kosovën|Video
Visar Shatrolli|RTK
Bledi i Sllovenisë do të jetë vendtakimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe evropianë. Kjo është konferenca e 18-të ndërkombëtare e Forumit Strategjik e që do të mbahet më 28 dhe 29 gusht. Pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në këtë Forum nga politolog e analist po shihet si tejet e rëndësishme për Kosovë.
Përveç rëndësisë ekonomike në thithjen e investitorëve të huaj në Kosovë, ky Forum, sipas politologut Fidan Ukaj, mund të jetë i rëndësishëm edhe për shtensionim e situatës në veri dhe kthimin në procesin e dialogut, nëse Kurti zhvillon takim eventual me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.
"Takim eventual ndërmjet Lajçakut dhe Kurtit i kontribuon ecjes përpara shtensionimit të situatës dhe kthimit në proces dialogus, mos të harrojmë vazhdojnë kërkesa e BE-së dhe SHBA-ës në plotësimin e tri kërkesave shtensionimi i situatës, kthimi në procesin dialogues e po ashtu mbajtjen e procesit zgjedhor", thotë Ukaj
Edhe analisti Gazmir Rraci deklaron se Forumi i Bledit është mundësi adekuate që kryeministri Kurti të kërkojë heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Në këtë konferencë dyditore, krahas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, përfaqësuesi special i BE-se për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe personalitete të tjera.























