Angili: Turqia përkrah ngritjen e kapaciteteve luftarake të FSK-së
M.Sh/RTKlive
Turqia mbetet e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për ngritjen e kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë të Kosovës në aspektin e kuadrove dhe armatimit. Kështu ka deklaruar ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin kosovar të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Diplomati turk shprehu mirënjohjen e tij për ndihmën që pjesëtarët e FSK-së kanë ofruar gjatë misionit të kërkim-shpëtimit pas tërmetit në Turqi.
E me këtë rast, ambasadori Angili e uroi gjithashtu ministrit Maqedonci për detyrën e re, ndërsa diskutuan rreth shumë çështjeve të cilat kanë të bëjnë me fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, e me theks të veçantë bashkëpunimin ndërmjet ministrive të mbrojtjes së dy shteteve.
“Zhvillimi i FSK-së dhe politikave të mbrojtjes për të garantuar siguri për qytetarët dhe mbrojtje territoriale, do të jetë angazhimi ynë i përditshëm si Ministri”, theksoi ministri Maqedonci, sipas të cilit në këtë takim është biseduar edhe për implementimin e planit bilateral, thellimin e bashkëpunimit në zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe për shkollimin e kuadrove të reja të ushtarakëve.























