Faton Klinaku intervistohet nga policia pas deklaratës për Kurtin
M.P. dhe A.S. / RTKlive
Ushtruesit i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, është intervistuar pas deklaratës së djeshme për kryeministrin Kurti.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj, i cili tha se intervistimi ka zgjatur 1 orë.
“Po është intervistuar, Prokuroria i ka udhëzuar hetuesit policor dhe ata e kanë intervistuar”, ka thënë Dreshaj për RTKlive.
“Klinaku ka shtruar një problematikë tjetër, faktikisht e ka sinjalizuar Prokurorinë Speciale, por edhe hetuesit dhe pushtetin se më mirë të merren me bashkëpunimin e Mimoza Kusarit me Radojçiqin sesa të merren me këso gjëra. Ky nuk është kërcënim, as dhunë ndaj kryeministrit por e ka dhënë në atë kontekst. Ky s’ka thënë do ta vrasë as e vras, por e ka thënë në një kontekst patriotizmit sepse ka luftuar për këtë vend”, ka deklaruar Dreshaj.
Klinaku dje kishte shkruar në Facebook rreth një komunikimi sipas tij me një votues të Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Klinakut, votuesi ka thënë se "Kurti nuk ka bërë ndryshim, përkundrazi po shkojmë edhe më shumë teposhtë si vend dhe s'ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë”.
“I thashë: As se kam votuar, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”, ka shkruar Klinaku në postimin e djeshëm e për të cilin sot është intervistuar.
























