Nagavci: Aplikimi për tekste shkollore në eKosova deri në fund të shtatorit
B. H. | RTKlive
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se mundësia për të aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore për të gjithë prindërit do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekstet shkollore.
Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se janë duke e përcjellë më vëmendje situatën dhe shqetësimet e prindërve rreth aplikimit në platformën eKosova për subvencionimin e teksteve shkollore.
“Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar. Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”, ka shkruar ministrja Nagavci.
Ajo tutje ka thënë se kanë kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave që kanë marrë, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale.
“Po ashtu, mësimdhënësit tashmë kanë filluar t'i ndajnë këto lista me prindërit andaj, lus prindërit që para se t’i blejnë tekstet të konsultohen me mësimdhënësit. Shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe janë zotuar se çmimet nuk do të rriten”, ka shtuar e para e arsimit.
Sipas Nagavcit çdo identifikim i abuzimit me çmime të teksteve ose ofrimit të teksteve pa pasur vendim të MASHTI-t si dhe çfarëdo rasti tjetër i kësaj natyre, do të adresohen tek autoritetet kompetente.























