Dy dronë donacion për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve
BKT
Lajme

Dy dronë donacion për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve

M.Sh/RTKlive

Agjencia Pyjore e Kosovës ka pranuar të mërkurën dy dronë, donacion nga programi “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve në Kosovë”, për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve.

Donacioni është financuar nga Ambasada Suedeze në Prishtinë dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe është zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara – FAO.

Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural  tha se kjo ndihmë është shumë domethënëse për mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve.

“Përmes përdorimit të teknologjisë moderne në mbrojtjen dhe menaxhimin e pyjeve, siç janë edhe këta dronë me mundësi dhe performanca të jashtëzakonshme, do të kemi mundësi më të mira për monitorimin e shfrytëzimit të pyjeve me fokus të posaçëm në evidentimin dhe parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyje dhe ruajtjen e tyre si pasuri kombëtare”, tha Peci.

Nga ana tjetër, Naser Krasniqi, përfaqësues vendor nga FAO bëri demonstrimin e funksionimit të dronëve të cilët kanë performancë të jashtëzakonshme, si dhe ofrojnë kapacitete të larta të monitorimit dhe incizime për analiza të ndryshme të terreneve pyjore.

Ndryshe, para dorëzimit të këtyre pajisjeve, programi i FAO-s organizoi trajnim katër ditor për personelin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës të cilët do të jenë përgjegjës për përdorimin e këtyre dronëve.

Trajnimi kishte për qëllim njoftimin për procedurat dhe aspektet ligjore që kërkohen në përdorimin të tyre në Kosovë, si dhe tema teknike rreth mundësive dhe mënyrës së përdorimit të tyre në pylltari, njofton MBPZHR.


MË SHUME NGA Lajme