Mandl: Do të ishte gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave
Sh.Ç /RTKlive
(E plotësuar, ora 18:25) Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka reaguar pasi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë.
Mandl e ka falënderuar atë për nismën, ndërsa ka thënë se shtyrja e liberalizimit do të ishte gabim historik.
“Më vjen mirë që ndoqët nismën time Viola. Të njëjtën gjë e bëri Andrey Kovatchev, Andreas Schieder dhe Ilhan Kyuchyuk. U jam mirënjohës për këtë. Kjo është nismë ndërpartiake. Do të ishte gabim historik shtyrja e liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar ai në “X”.
Von Cramon: Liberalizimi i vizave mos të lidhet me dialogun
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se liberalizimi i vizave për kosovarët nuk duhet të lidhet me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave të vonuar prej kohësh. Ne duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë”, ka shkruar ajo ne rrjetin social “X”.
“BE-ja duhet të mbajë premtimin e saj duke lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm që nga 1 janari 2024”, ka thënë Von Cramon.























