Osmani pritet nga Nikolla, kërkon angazhim të Tiranës për anëtarësim në KiE
BKT
RTK
Lajme

Osmani pritet nga Nikolla, kërkon angazhim të Tiranës për anëtarësim në KiE

E.P-M.Sh/ RTK

(E plotësuar, ora 17:10) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e konsideron të nevojshme vazhdimin e përkrahjes të delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Këtë deklaratë Osmani e ka bërë gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë kontekst, Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve.

Sipas presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.

Osmani më tej ka theksuar se integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve.

Osmani: Serbia gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë (12:20)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk është situata në veri të vendit, ajo që ka acaruar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Republikës Kosovës”, tha Osmani në konferencën për media në Tiranë.

Osmani: Kombi shqiptar faktor stabiliteti në rajon

(E plotësuar, ora 12:15) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kanë mbajtur konferencë për media.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që ka pasur më homologun shqiptar, tha tek Shqipëria sheh mbështetjen e palëkundur për Kosovën. Ajo tha se Shqipëria ka mbështetur Kosovën në momentet të vështira, pro edhe të procesion e shtet formimit dhe shtet ndërtimit.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një lidhje unike, historike, kulturore e kombëtare që e bën bashkëpunimin dhe lidhjen tonë të fortë e të pathyeshme. Përballë sfidave ne qëndrojmë të bashkuar duke u bashkuar në një qëllim: stabiliteti, prosperiteti dhe integrimi euroatlantik i vendeve tona”, tha ajo.

Sipas saj Kombi shqiptar gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euroatlantik," u shpreh Osmani.

“Kosova nuk njihet nga të gjitha shtetet ndërkombëtarisht, ndaj presidentja Osmani theksoi nevojën për mbështetjen nga Shqipëria, për të qenë zëri i saj në instancat ku Kosova ende nuk përfaqësohet. Synim shtetëror e strategjik yni mbetet anëtarësimi në NATO dhe në BE, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ku kemi interes shtetëror. Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit më gjerë. Prandaj edhe kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme," deklaroi Osmani.

Osmani tha se ato synojnë fuqizimin e shteteve tona dhe lehtësimin e jetëve të qytetarëve.

"Shteti i Kosovës, sikurse edhe Shqipëria, e kanë të qartë orientimin proeuropian dhe euroatlantik. Jemi përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Europian dhe vendeve demokratike, jo vetëm sa i përket zhvillimeve në rajon, por në gjithë kontinentin tonë, sidomos me sfidat që po përballemi si kontinent në këto dy vitet e fundit. Ne jemi të vendosur për të kontribuar në funksion të paqes dhe stabilitetit, dhe të mbrojmë së bashku vlerat që po rrezikohen dhe atakohen nga Rusia dhe satelitët e saj në rajon”, tha ajo.

E para e vendit tha se e kemi po ashtu detyrim që së bashku të punojmë për avancimin e interesave të të gjithë shqiptarëve në rajon, të cilëve vazhdimisht u shkelen të drejtat elementare, si atyre që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc.

"Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë e po ashtu për përkrahjen e aleatëve dhe partnerëve euroatlantikë. Rruga e vetme që sjell paqe dhe stabilitetin për gjithë rajonin tonë është atëherë kur rezultati përfundimtar do të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e integritetit territorial, sovranitetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të brendshëm të Republikës së Kosovës", tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Begaj: Me gjithë provokimet serbe, Kosova të koordinohet me SHBA-të dhe BE-në

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se me Osmanin kanë diskutuar për tema të ndryshme, duke forcuar partneritetin strategjik, raporton RTKlive.

“Marrëdhëniet Shqipërisë e Kosovës janë shumë të mira. Askush nuk ka pse çuditet se pse Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, i rikonfirmova presidentes mbështetjen për Kosovën”, tha ai në konferencën e përbashkët me Osmanin. Begaj, tha se Kosova është tregu i dytë për eksportet Shqipërisë.     

Begaj foli edhe për veriun e Kosovës, ku potencoi se duhet koordinimi me aleatët tanë. Ai ka vlerësuar hapat e qeverisë së Kosovës për de përshkallëzimin e situatës në veri.

Presidenti Begaj, ka deklaruar se pavarësisht provokimeve që vjen Serbia, Kosova duhet të koordinohet me partnerët strategjikë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për situatën në veri të Kosovës.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Begaj theksoi se dialogu i “ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare”

“Bashkërendimi i politikave dhe veprimi i të gjithë institucioneve tona duhet të jetë një objektiv i qëndrueshëm dhe parësor pasi kështu krijojmë të gjitha premisat që faktori shqiptar të konsolidohet si faktor strategjik dhe stabiliteti në rajon. Jashtë vëmendjes nuk mund të mbeteshin zhvillimet në veriun e Kosovës. Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe ndërhyrjet hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për të gjitha veprimet e ndërmarra", tha ai.

Sipas tij, askush nuk mund të vendosë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm.

"Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara është rruga e vetme drejt paqes si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare përfshirë edhe atë të organizatës së Kombeve të Bashkuara. E sigurova zonjën Osmani për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar me çdo mjet me të gjitha mundësitë e saj në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu”, u shpreh Begaj.

Presidentja Osmani nis vizitën shtetërore në Shqipëri

(E plotësuar, ora 10:15) Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Bajram Begaj.

Pas takimit, Begaj dhe Osmani do të mbajnë konferncë të përbashkët për medie.

Tashmë është bërë e ditur agjenda e saj, e cila përfshin darka e dreka shtetërore me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Ata më pas pritet të dalin në një konferencë për shtyp në orën 11:40. Ndërkaq takimin me kryeministrin Rama, Osmani pritet ta fillojë në orën 12:30, e më pas Osmani do të pritet në takim edhe nga kryetarja e Kuvendi të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Tirana bëhet gati për pritjen e presidentes Vjosa Osmani

Tirana zyrtare i ka bërë të gjitha përgatitjet për ta pritur pas pak me nderime të larta shtetërore, presidenten e Republikës së Kosovës, zonjën,Vjosa Osmani-Sadriu.

Rrugët kryesore janë stolisur me flamujt e të dyja vendeve, ndërsa në presidencën shqiptare po merren me detajet e fundit, para se presidenti shqiptar, Bajram Begaj ta pres homologen e tij kosovare.

Presidentja Osmani sot fillon vizitën shtetërore në Shqipëri

Afet Bela/ RTKlive

Me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot fillon vizitën shtetërore dy ditore në Shqipëri, gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Begaj.

“Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione. Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova”, njofton Presidenca.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Pas takimit, presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga kryeministri Rama. Presidentja po ashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në agjendën e presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Po ashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.

Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.

Më poshtë gjeni agjendën e plotë të vizitës së Osmanit në Shqipëri:

4 shtator

Ora 10:00 – Ceremonia Zyrtare e Mirëseardhjes në Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Ora 10.15-10.40 – Takim tete-a-tete midis Sh.T.Z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë dhe Sh.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës

Ora 10.40-11.30 – Bisedimet dypalëshe midis dy delegacioneve të kryesuara nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bajram Begaj dhe SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës;

Ora 11.40-12.05 – Konferencë për shtyp dhe pyetje-përgjigje

(Shënim: Deklaratat e dy Presidentëve – nga dy pyetje nga gazetaret për secilin President)

Ora 12.30-12.45 – Takimi tête-à-tête midis Sh.T. Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Sh.S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Ora 12.45-13.00 – Takim midis dy delegacioneve te kryesuara nga Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës

Ora 14:35-15:20 – Takim midis Kryetares së Kuvendit, SH.S.Znj. Lindita Nikolla dhe Presidentes së Republikës së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu

5 shtator

Ora 09:00 – 09.20 – Aktivitet i përbashkët i dy Presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave

Të dy presidentët marrin pjesë në hapje dhe japin nga një deklaratë

Vendi: Presidenca e Shqipërisë

Ora 09:30-09:40 – Ceremonia e vendosjes së kurorës në monumentin “Nëna Shqipëri” me pjesëmarrjen e Nënkryetarit të Bashkise, z. Andi Seferi dhe Komandantit te Gardes se Republikes, z. Gramos SakoNisja për në BERAT

Ora 11:15-11:30 – Takim midis Presidentes së Republikës së Kosovës SH.S.Znj. Vjosa Osmani Sadriu, me Kryetarin e Bashkisë së Beratit, Z.Ervin Demo

Vendi: Bashkia e Beratit

11.30-11.45 – Ceremonia e dhënies së Titullit “Patron i Kalasë” Anglisht “Patron of the Castle”). Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.NISJA PËR NE DURRËS

Ora 16.50-17.15 – Takim me Kryetaren e Bashkisë te Durrësit, zj. Emiriana Sako
Vendi: Bashkia Durrës

Ora 17.30 – Vizite ne piken doganore te Kosovës ne Portin e Durrësit.


MË SHUME NGA Lajme