Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve: dëshmitari i radhës në sallën e gjyqit
A.B/ RTKlive
(E plotësuar, ora 16:30)Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 20-të të ZPS-së, W04368, një tjetër dëshmitar u paraqit në sallën e gjyqit dhe është duke dëshmuar pa masa mbrojtëse.
Dëshmitari është Agim Idrizi, nga komuna e Kaçanikut, dhe do të dëshmojë për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999.
Gjykimi ndaj -sh krerëve të UÇK-së, dëshmon dëshmitari i 20-të
(E plotësuar, ora 14:10) Në seancën e së hënës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari i 20-të është pyetur për takimin me Adem Demaçin dhe Albin Kurtin.
Mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe e ka pyetur atë kur kishte shkuar bashkë me persona tjerë për të takuar Demaçin dhe se a kishte folur edhe me Kurtin si asistent i Demaçit.
‘‘Demaçi nuk ka dalë prej zyrës (nuk kuptohet), Kurtin e adhuroj sot se është një Kryeministër shumë i mirë por nuk kam pas muhabete me Kurtin as me Demaçin. Demaçi nuk na ka pranu se e diti situatën si është dhe nuk na ka pranu’’, u përgjigj dëshmitari.
Kur është pyetur më tej për marrëdhënien e tij me Kurtin, përgjigja ka qenë me përmbajtje të redaktuar, por veç kësaj, dëshminë e këtij dëshmitari e ka karakterizuar pjesa e ‘‘përmbajtjes së redaktuar’’ në pothuajse tërë dëshminë e tij.
Përmbajtje të redaktuar, ka pasur edhe kur është pyetur dëshmitari për periudhën kohore të kidnapimit të të afërmit me numër 1.
Më tej, i pyetur se në raportin ECMM të 1999-ës a kishte thënë se kidnapimi dyshohet se është bërë nga xhelozia dhe se i afërmi i tij nuk kishte pasur interes në politikë dhe se s’kishte ditur të shkruajë dhe lexojë por se kishte pasur ndikim, dëshmitari është përgjigjur “unë jo, nuk di kush e ka thënë këtë”.
Sërish, kur u pyet se a është fakt se ai personalisht dhe i afërmi numër 2 i kishin thënë ECMM-së se rrëmbimi erdhi për shkak të nxitjes së armiqve krahinor, përmbajtja ishte e redaktuar.
Në ndërkohë gjatë seancës, bëhej një pjesë e shkurtë publike dhe pa u kuptuar pyetja e tërësishme apo përgjigja, DhSK vendoste përmbajtjen e redaktuar.
Në anën tjetër, duke u përgjigjur në pyetje e mbrojtjes së Selimit, avokatit Eric Tully, dëshmitari tha se nuk i kujtohet të ketë thënë se kidnapimi ishte bërë që të vinte shembull tek të tjerët dhe të nxiste terror mes fshatarëve.
Po ashtu, dëshmitari tha se ai gjatë dhe pas luftës kishte qenë përkrahës i LDK-së, por se tani mbështet LVV-në.
Ai në intervistën për ZPS-në lidhur me të afërmin numër 1, në pyetjen se pse mendohej se donin ta likuidonin, ishte përgjigjur se ishin bërë gjërat bashkë, si fakti që ishte me LDK-në dhe inati që kishin njerëzit në fshat ndaj tij.
Kohë pas kohe seanca ka qenë edhe në sesione të shkurta private dhe se seanca do të vazhdojë me dëgjimin e këtij dëshmitari pas pushimit të drekës.
Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i ri i ZPS-së fillon dëshminë dëshmitari i 20-të
(E plotësuar, ora 10:15) Dëshmitari i mbrojtur W04368 ka nisur të dëshmojë këtë mëngjes. Ky është dëshmitari i njëzetë i ZPS-së deri më tani. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në gjykatë nga ZSP-ja, dëshmia e këtij dëshmitari ka të bëjë me zhdukjen e pretenduar të një familjari të dëshmitarit në vitin 1998.
Vazhdon gjykimi në Speciale
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë sot vazhdon gjykimi në rastin gjyqësor "Thaçit dhe të tjerëve".
Ndryshe në seancat e javës së kaluar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë përfunduar dëshmitë dëshmitarët e 18-të dhe 19-të të thirrur nga Prokuroria.
Ata dëshmuan me masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë private. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në sallën e gjyqit nga Prokuroria, dëshmia e dëshmitarit të 19-të ishte në lidhje me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar e anëtarit të familjes së dëshmitarit në Drenoc.
Më 16 gusht Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Thaçit lidhur me kontaktin me një dëshmitar të caktuar.
Mbrojtja e Thaҫit kërkoi që të shfuqizohet protokolli që rregullon kontaktet me dëshmitarët në lidhje me këtë dëshmitar, bazuar në njoftimin e Prokurorisë se ka vendosur të mos e thërrasë këtë dëshmitar në këtë fazë të procesit, raporton RTKlive.
Trupi Gjykues konstatoi se protokolli vazhdon të jetë në fuqi, sepse Prokuroria ende ka ndër mend ta thërrasë dëshmitarin, por në një fazë të mëvonshme të procesit. Trupi Gjykues sqaroi gjithashtu se sa herë që Prokuroria të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar për të cilin ka njoftuar më parë, ajo duhet ta informojë Mbrojtjen, sepse në këto raste protokolli pushon së qeni në fuqi. Rrjedhimisht, Prokuroria duhet që ta rishikojë në mënyrë proaktive dhe të vazhdueshme listën e dëshmitarëve të saj dhe të njoftojë pa vonesë Mbrojtjen sa herë të vendosë të mos e thërrasë një dëshmitar të caktuar.
Hashim Thaçi, i cili është i akuzuar nga DHSK ka qëndruar për një vizitë familjare në vendlindje.
Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha për RTKlive se Trupi Gjykues për arsye detyruese humanitare e ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin për takim me familjen.
"I akuzuari mbetet në ndalim dhe nën përkujdesjen e Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës në këtë drejtim", tha ai.























