Murati për tatimin në pronë: Komunat po fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese
M.Sh/RTKlive
Ministri i Financave, Hekuran Murati reagoi të hënën pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi Nenin 5 të Ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, i cili u mundësonte qytetarëve faljen e tatimit për 100 euro. Me këtë vendim, Murati thotë se gjykata i mundëson komunës mbrojtje nga vetvetja.
“Gjykata Kushtetueses paska marrë vendim për pezullimin e Nenit 5 të ligjit të ndryshuar për Tatimin në Pronë, nen ky i cili mundëson komunat të falin një pjesë të barrës tatimore për vitin 2023, deri në 100 euro. Neni 5 e përcakton që vendimmarrja për falje u takon komunave. Me fjalë tjera, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë pezulluese për t’i mbrojtur komunat nga vetvetja”, ka shkruar Murati.
Krejt ky vendim, sipas ministrit, është marrë në emër të ndërhyrjes së kompetencave në komuna.
“Madje për t’i shkuar ironisë deri në fund, paska pezulluar edhe vendimet që disa prej komunave tashmë i kanë marrë për faljen e një pjese të barrës tatimore. Krejt kjo në emër të parandalimit të ndërhyrjes në kompetenca të komunave”, ka shkruar ai.
Masa e pezullimit, sipas tij, është vendosur deri më 30 nëntor, “mjaftueshëm sa për të qenë më vonë” se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë të tatimit në pronë, që është me 30 shtator.
“Pra po del ajo që pata paralajmëruar për gardën e vjetër, se qëllimin e kanë që të fshihen prapa Gjykatës Kushtetuese, se gjoja ata - do ta kishin miratuar zbritjen e tatimit, por ja që ligji është bllokuar në Gjykatë Kushtetuese”, ka shkruar në reagimin e tij ministri Murati.























