Osmani: Macron dhe të tjerët vlerësojnë sinqeritetin në komunikim
M.P. / RTKlive
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka kundërshtuar çdo mundësi që e ka kërcënuar me dialog, presidentin francez, Emmanuel Macron, kur ky i fundit ka përmendur anulimin e vizave si masë ndëshkuese ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk sillen me përgjegjësi. Osmani në një intervistë për medien shqiptare TCh, ka thënë se e njeh mjaftueshëm mirë presidentin francez dhe ajo çka ai, dhe aleatët e tjerë e vlerësojnë në raportet bilaterale, është sinqeriteti në komunikim.
“Kam mësuar në këto 22 vitet e fundit, në veçanti nga partneri ynë SHBA, që sinqeriteti me partnerët, rregulli që të jemi të hapur me ta në mënyrë që të dinë se çfarë të presin me ne, është vlerësuar më së shumti. Ky nuk është kërcënim, është informim në raport me partnerët tanë, nëse nuk janë të kënaqur me veprimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, apo të Presidentes, apo institucioneve në përgjithësi, ndëshkimi nuk duhet të jetë ndaj popullit të Kosovës”, ka thënë Osmani gjatë intervistës.
Ajo ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave përbën padrejtësi ndaj popullit dhe mos vlerësim.
“Kjo çështja e liberalizimit të vizave është një padrejtësi historike ndaj popullit të Kosovës, ta konsiderosh si një popull që e meriton geton, nënkupton ta vlerësosh si një popull të shkallës së dytë apo të tretë dhe të mos e vlerësosh faktin që është populli më pro-evropian në kontinentin tonë, është 100% në linjë të plotë me çdo vendim të politikës së jashtme”, ka deklaruar presidentja e Kosovës.
Ndryshe pas deklaratës së presidentit Makron, Osmani ka thënë se: “kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës”.























