Përfundon dëshminë, dëshmitari Idrizi reagon ndaj komenteve në internet
N.M. /RTKlive
Dëshmitari Agim Idrizi e ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës.
Idrizi në fund të dëshmisë është shprehur i shqetësuar me komentet që ka parë në rrjetet sociale pas dëshmisë së tij një ditë më parë.
“Ma kishin shkruar, tradhtar i kombit. Këta ma kanë pru punën me ardhur. Edhe hala thonë mos fol, mos fol. Jam shumë i kënaqur për krejt gjërat, që më keni pru qitu. E kam lyp me dalë publikisht. Unë e kam lyp me ardhur qitu. Vet kam ardhur”, ka theksuar Idrizi.
Gjykimi në Hagë për ish krerët e UÇK-së pritet të vazhdojë me dëshmitarin 22.
Në Hagë vazhdon dëshmia e Idrizit, mohon që ka qenë polic ose roje pylli
Pa masa mbrojtëse vazhdon dëshminë e tij Agim Idrizi në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurori James Pace ka vazhduar të marrë në pyetje këtë dëshmitar, ku janë shfaqur dokumente të hartuara nga autoritetet serbe, ku figuron emri i Agim Idrizit.
Për të njëjtat, ky i fundit tha se nuk i ka parë më herët, deri në momentin që janë shfaqur nga prokurori një javë më parë.
Idrizi pretendon se është rrëmbyer dhe ndaluar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999. Sipas tij, gjatë kohës sa ka qenë i arrestuar është maltretuar dhe rrahur.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith ka bërë të ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një parashtresë që është kërkesë për konferencë me anë të videos për dëshmitarin 03827.
Në Speciale vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, seanca e së martës ka filluar me dëshmisë e dëshmitarit pa masa mbrojtëse, Agim Idrizit.
Idrizi është dëshmitari i 21-të në këtë çështje dhe do të dëshmojë për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në vitin 1999
Dëshmitari është Agim Idrizi, nga komuna e Kaçanikut, po dëshmon për rrëmbimin dhe ndalimin e tij të pretenduar nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1999.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.























