Bugaqku: Mundësia më e mirë është dorëheqja e kryetarëve në veri
F.S/RTKlive
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni.
Vullnet Bugaqku hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se KDI gjatë hartimit të Udhëzimin Administrativ ka shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës dhe gjithë përfshirjen.
“Ne kemi shprehur shqetësimin edhe për përmbajtjen e Udhëzimit Administrativ”, tha ai për ‘Lajmet e Fundit’ në RTK.
Bugaqku tha se ligji për qeverisje lokale jep disa mundësi për largimin e kryetarëve të komunave, por, sipas tij, duhet të kyçen edhe instanca tjera, siç është edhe Kushtetuesja.
Ai tha se mundësia më e mirë është dorëheqja e kryetarëve të komunave në veri.
“Çfarëdo procesi tjetër zvarrit procesin edhe merr kohë, duke e ditur edhe se kërkesa e ndërkombëtarëve është që të mbahen zgjedhjet në veri”, tha ai.
Ndryshe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka përfunduar hartimin e Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni.
Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.
Ky udhëzim jep mundësinë e zbatimit praktik të një të drejtë të garantuar nga ligji për vetëqeverisje lokale. E drejtë kjo që siguron ushtrimin e vullnetit qytetar në raport me Kryetarin e Komunës, të cilin e zgjedhin drejtpërdrejtë vetë qytetarët.























