Trupat shtesë të Turqisë do të largohen nesër nga Kosova
F.S/RTKlive
Forcat rezerve të Turqisë të dislokuara në Kosovë do të kthehen të mërkurën, ka thënë të martën Ministria e Mbrojtjes turke.
“Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global brenda kuadrit të detyrave në OKB, NATO, BE dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe në kontekstin e marrëdhënieve dypalëshe, dhe monitoron nga afër zhvillimet në Ballkan, ku ekzistojnë vlera të përbashkëta historike dhe kulturore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë turke.
Turqia vendosi trupa shtesë në Kosovë në qershor në përgjigje të kërkesës së NATO-s pas tensioneve të fundit në veri.
“Njësia jonë e dislokuar, pas mbërritjes së saj në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 6 qershor 2023, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në sigurimin e paqes në Kosovë ndërmjet 10 qershorit dhe 31 gushtit dhe ka përmbushur me sukses misionin e saj”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se Batalioni Provident me 05 shtator do të kryejë transfertat me rrugë tokësore dhe 06 shtator me rrugët ajrore.
“Gjithashtu, Komanda e KFOR-it do të merret nga vendi ynë për një vit nga data 10 tetor 2023. Turqia do të vazhdojë të përmbushë angazhimet dhe kontributet e saj në NATO si gjithmonë”, thuhet në njoftim.























