Të premten skadon afati: Punonjësit serbë duhet të largohen nga komunat
Tatjana Slaviq/RTK2
Komuna e Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim në fund të muajit të kaluar për shtyrjen e afatit, siç ishte paralajmëruar, për lirimin e objektit në të cilin funksionojnë katër institucione që funksionojnë nën sistemin e Qeverisë së Serbisë. Afati i ri që u është dhënë punonjësve për t`u larguar nga objekti është data 8 shtator, i cili skadon të premten.
Nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Agjançiq tregon se drejtori i Drejtorisë Komunale për Infrastrukturë është në udhëtim pune dhe se ky rast do të shqyrtohet kur të kthehet.
“Ende nuk është marrë në konsideratë vonesa apo shtyrja e afatit, ka mbetur ashtu siç është, pasi është marrë vendimi i parë për shtyrjen e afatit për largim, që është data 8 shtator. Drejtori është aktualisht jashtë në takime, ndaj presim që gjithçka të përfundojë sipas planit. Ai do të kthehet nesër, kështu që pa praninë e tij është mosmirënjohje të thuash gjë”, thekson Agjançiq.
Drejtoresha e Iniciativës së Re Sociale, Jovana Radosavljeviq, beson se aktualisht nuk ka indikacione se afati i largimit nga ndërtesa do të shtyhet, apo se do të arrihet një zgjidhje kompromisi.
“Ajo që është më realiste dhe që mund të presim në këtë moment, është skenari i mundshëm i 26 majit, kur kryetarët e komunave dhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës hynë me dhunë në objektet komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok...Deri në ndonjë zgjidhje kompromisi apo shtyrje të këtij vendimi nga institucionet e Kosovës, potencialisht mund të presim edhe incidente, por duke u mësuar nga përvojat e muajve të kaluar, shpresoj se në këtë situatë KFOR-i do të jetë në gatishmëri dhe do të reagojë më shpejt në krahasim me 26 maj'', tha Radosavljeviq.
Ndryshe, nëse vetëqeverisja lokale në veri të Mitrovicës nuk merr vendim të ri për shtyrjen e afatit për dëbim, punëtorët që punojnë në këto objekte me sistemin e Serbisë, duhet të largohen nga objektet deri më 8 shtator.























