Komandanti i KFOR-it: Gjendja në Kosovë vazhdon të jetë e paqëndrueshme
N.M. /RTRKlive
Gjendja në Kosovë vazhdon të jetë “shumë e paqëndrueshme”, ndonëse situata e sigurisë është qetësuar në krahasim me majin kur shpërtheu dhuna, deklaroi të mërkurën komandanti i trupave të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia, raporton Reuters.
Ai tha se tensioni midis dy palëve mbeti i lartë për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
"Situata është e qetë pas ngjarjeve të 29 majit. Por, në një farë mënyre, situata është ende shumë e paqëndrueshme. Ne mendojmë se ky tension është për shkak të një sërë çështjesh të pazgjidhura,”, tha komandanti i Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), para gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel, raporton Reuters.
"Nëse duhet të bëjmë një diagnozë të asaj që po ndodh, do të thosha se sëmundja më shqetësuese është mosbesimi - mosbesimi midis palëve," shtoi ai.
Sipas tij, kjo do të thotë se nuk ka një zgjidhje ushtarake. “Zgjidhja e vetme është një zgjidhje politike."
“Më shumë se 90 ushtarë paqeruajtës të NATO-s u plagosën në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës, sipas NATO-s, kurse u plagosën rreth 50 protestues. Përplasjet shpërthyen pasi kryetarët shqiptarë etnikë morën detyrën në veri pas zgjedhjeve lokale, në të cilat pjesëmarrja ishte vetëm 3.5% për shkak të bojkotit nga serbët...”, raporton Reuters.























