Kurti e Peters flasin për anëtarësim në Partneritetin për Qeveri të Hapur
F.Sertolli / RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, ka takuar zëvendës-ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters, me të cilen ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur.
Po ashtu në këtë takim, sipas një njoftimi nga Qeveria e Kosovës, Kurti ka diskutuar edhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID, në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.
“Falë vëmendjes së Qeverisë në transformimin digjital, sidomos me shërbimet në e-qeverisje dhe digjitalizimin në arsim, që pritet të përkthehet në investime prej 100 milionë eurosh në pesë vjetët e ardhshme, synohet që të ofrojmë infrastrukturë sa më të përshtatshme për kompanitë e këtij sektori, ashtu që të mund të zhvillohen sa më shumë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për potencialin e Kosovës në fushën e Teknologjisë së Informacionit, kryeministri tha se Kosova renditet e para në Ballkanin Perëndimor në indeksin e konkurrueshmërisë së IT-së, të parët në Evropën në Zhvillim (Emerging Europe) për numrin e studentëve në fushën e TI-së për 100 mijë banorë, kurse të dytët për infrastrukturën teknologjike.
Krahas saj, kryeministri Kurti, gjithashtu, veçoi edhe progresin në indikatorë ndërkombëtarë të transparencës, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.
Edhe në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Ndërkaq, përkrah zëvendës-ndihmës së Sekretares në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Peters, ishte edhe zëvendës-ndihmës Sekretarja kryesore në Byronë për Hapësirë Kibernetike dhe Politika Digjitale të Departamentit të Shtetit, njëherësh ish- zëvendës ambasadorja e Amerikës në Kosovë, Jennifer Bachus.























