Aliu: Qeset e plastikës duhet të paguhen
Arbresha Berisha/RTK
Qytetarët do të duhet të paguajnë për qeset plastike me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për Ambalazhin dhe Mbeturinat e ambalazhit. Kështu ka bërë te ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastruktures, Liburn Aliu në një konferencë për medie me shefen e bashkëpunimit në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë, Vera Baumann.
Ministri Aliu ka thënë se qeset e holla te plastikës nga zero deri në 25 mikron do të ndalohen tërësisht, ndërsa ato deri në 50 mikron do të kushtojnë 5 centë.
“Ky udhëzim administrativ do të ketë ndikim tek ambienti, duke eleminuar qeset e plastikës dhe shishet e plastikës më pastaj si dhe trajtimin e ambalazhit nga shishet. Qeset e holla të plastikës do ndalohen. Qeset nga 25 deri 50 mikron do të lejohen për përdorim dhe do të kushtojnë 5 centë. Megjithatë nuk do të lejohet që të kenë logo të prodhuesit”, ka shtuar ai.
Ministri Aliu tha se me udhëzimin administrativ do të krijohet mundësia e rimbursimit të dispozitave, megjithëse një gjë e tillë sipas tij do të marrë kohë. “Ne jemi të vendosur në këtë çështje”, tha Aliu.
Zëvendës-shefi i bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë , Alessandro Bianciardi,
theksoi se BE-ja në Kosovë mbështet zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit, i cili ndihmon në mbrojtjen e mjedisit dhe e bën ekonominë qarkore realitet në Kosovë.
"BE është krenare të qëndrojë sot këtu së bashku me Gjermaninë dhe Kosovën në mbështetjen e zhvillimit dhe zbatimit të aktit nënligjor mbi "Ambalazhin dhe mbeturinat e ambalazhit“ dhe Fushatën "Reduktimi i qeseve plastike". Zbatimi i këtij akti të ri nënligjor është hapi i duhur drejt aplikimit të masave për zvogëlimin e të gjitha produkteve plastike me përdorim të vetëm, të cilat do të kenë ndikim pozitiv në mjedisin dhe shëndetin e popullit të Kosovës”, tha ai.
Shefja e bashkëpunimit në Ambasadën gjermane në Prishtinë, Vera Baumann, tha se Gjermania, nëpërmjet GIZ, mbështet plotësisht Kosovën për të siguruar një të nesërme më të gjelbër.
“Së bashku me partnerët tanë të vlerësuar të BE-së, ne po mbështesim nismat që nxisin ndërgjegjen mjedisore. Secili prej nesh që jeton këtu në Kosovë është përgjegjës të përdorë sa më pak qese plastike dhe t'i ripërdorë ato sa më shpesh që të jetë e mundur. Kompanitë prodhuese tani mund të shfrytëzojnë mundësinë për t'u përshtatur me standardet e BE-së dhe kështu të kontribuojnë në një të ardhme më të pastër për Kosovën. Si konsumatorë, të gjithë ne kemi fuqinë të vendosim për produkte që nuk janë të ambalazhuara, ose të paktën të ambalazhuara në mënyrë të qëndrueshme – duke bërë këtë, ne sigurojmë një mjedis të shëndetshëm – ajër të pastër, tokë të pastër dhe burime të pastra uji – në Kosovë për veten tonë, e aq më tepër për fëmijët tanë", theksoi Vera Baumann.
























