Stoltenberg: Zbarkimi i forcave speciale të bëhet në koordinim me KFOR-in
Gjeraqina Tuhina /RTK-Bruksel
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në fund të muajit maj dhe ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të vihen para drejtësisë.
Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Shefi i aleancës priti presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriun e cila përsëriti se ata sulmuan ushtarët e KFOR-it ishin dirigjuar nga Beogradi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s doli me një kriter të ri sa i përket dislokimit të forcave të rendit. Kërkoi nga Prishtina zyrtare që të koordinohet me KFOR-in për çdo zbarkim forcave speciale, dhe për secilin angazhim, i cili sipas Stoltenberg mund të ndikojë në pozitën e KFOR-it dhe sigurinë në Kosovë.
Presidentja e vendit tërhoqi vërejtjen se Kosova si dhe krejt rajoni i Ballkanit Perëndimor po rrezikojnë të bëhen pika të trazirave për shkak të ndikimit keqdashës rus dhe agjendave destabilizuese të saj.
Jens Stoltenberg përsëriti se NATO-ja mbështetë dialogun e Brukselit dhe përshëndeti paralajmërimin e mbajtjes së takimit të ri të liderëve. Presidentja Vjosa Osmani nga ana tjetër kërkoi qasje të balancuar të ndërmjetëseve evropian, sepse sipas saj, “ka pasur raste kur ka munguar baraspesha”, e cila, sipas saj, është e domosdoshme nëse duam të shohim rezultate të qëndrueshme.
Stoltenberg: Mirëpresim hapat e Kosovës për zgjedhje në veri/Video
Sh.Ç /RTKlive
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbeg ka takuar në Bruksel presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Stoltenbeg në fillim të konferencës tha se KFOR-i do të vazhdojë të përmbush mandatin duke ofruar siguri për të gjithë.
Stoltenbeg ka thënë se aleanca ushtarake e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve.
“Ne mirëpresim hapat e fundit të Prishtinës që janë ndërmarrë për të ulur tensionet, përfshirë zvogëlimin e numrit të forcave dhe planet për zgjedhje. Është esenciale të anashkalohen çfarëdo lloj eskalimi të mëtejme. I inkurajojmë të dyja palët të veprojnë sipas zotimeve të tyre”, theskoi ai.
Stoltenberg ka thënë se për Aleancën Veriatlantike është thelbësore që të shmanget përshkallëzimi i mëtejmë në veri të Kosovës.
Stoltenberg ka thënë se dhuna ndaj pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR në veri të Kosovës, më muaj më parë, ka qenë e papranueshme. Sipas tij, stabiliteti i rajonit varet nga të gjitha palët.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar NATO-n për prezencën dhe ndihmën e deritanishme në Kosovë për të ofruar siguri dhe stabilitet. Osmani ka thënë se sulmet në veri ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve janë të papranueshme dhe sulmuesit duhet të dalin para drejtësisë.
“Jemi shumë mirënjohës për lidershipin e NATO-s në këtë kohë goxha të rëndë. Më lër të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për rolin e NATO-s për të shpëtuar jetët tona dhe rolin gjatë ditëve të sotme. E vlerësojmë rolin e NATO-s në zhvillimin e Kosovës. Sukseset e Kosovës janë suksese të NATO-s dhe për këtë jemi krenar që kemi demokracinë më të gjallë në rajon. Duhet të jemi krenar për këto arritje. Saktësisht për shkak se Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse që duan ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë. Nuk duhet ta lejojmë këtë. Kosova dhe rajoni nuk duhet të sfidohen për shkak të keqdashjes ruse. Veriu i Kosovës ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e Republikës. Nuk do të lejojmë që veriu të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonall. Ne jemi për integrimin e veriut. I kam dënuar sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it që janë organizuar nga krimi serb. Mendimet tona janë me ushtarët e lënduar”, ka thënë Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se nuk do të lejojnë që veriu i Kosovës të jetë fushëbetejë për arritjet hegjemoniste të autokratëve rajonalë, duke aluduar në presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ajo ka shpreh gatishmërinë e Kosovës që në bashkëpunim me NATO-n t’i sjellin para drejtësisë kriminelët që sulmuan ushtarët e KFOR-it, gazetarët e njësitet policore në veri të Kosovës gjatë fund të majit. Presidentja ka deklaruar se orientimi i Kosovës mbetet i qartë, synimi është anëtarësimi në NATO.























