Kurti fton profesionistët e rinj nga diaspora që të kontribuojnë në Kosovë
BKT
Lajme

Kurti fton profesionistët e rinj nga diaspora që të kontribuojnë në Kosovë

E. Hoti / RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të rinjve nga diaspora që të bëhen pjesë e gjeneratës së dytë të Programit për Diplomaci Qytetare.

Ai thotë se thirrja është e hapur deri me datën 11 shtator.

 “Të dashur bashkatdhetarë, ju jeni prej faktorëve kyç të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit tonë. Qeveria jonë, në kuadër të Programit qeveritar të Republikës së Kosovës 2021/2025, si synim ka që ju të përfshiheni sa më shumë në politikëbërje, në transfer të dijes dhe atë të përvojës.

Vitin e kaluar, në kuadër të gjeneratës së parë të Programit për Diplomaci Qytetare, kishim nderin t’i prisnim 10 të rinj profesionistë nga diaspora dhe të jemi dëshmitarë të zellit të tyre të vazhdueshëm për të kontribuar në vend. Edhe këtë vit, Programi për Diplomaci Qytetare do të mirëpres të rinjtë profesionistë nga diaspora, të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejtë në thellimin dhe forcimin e ndërlidhjes së diasporës me vendin”, ka thënë Kurti.

Tutje Kurti ka thënë se për shkak të suksesit në gjeneratën e parë të programit,  këtë vit kanë vendosur që Programin për Diplomaci Qytetare 2023/2024 ta zgjerojnë në mënyrë të dyfishtë.

“Së pari po e rrisim numrin e  të angazhuarve nga 10 në 25 e, së dyti, po përfshijmë edhe fusha e institucione tjera të angazhimit, sikurse ato të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit; Ministrisë së Drejtësisë; Ministrisë së Punëve të Brendshme; e të tjera, gjithnjë krahas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pra, këtë vit kemi edhe më shumë vende të hapura për ju të dashur të rinj nga diaspora, por edhe më shumë fusha, ku ju do të mund të kontribuoni për zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit tonë. Andaj ju ftoj të gjithë juve të rinj profesionistë, që jetoni jashtë Kosovës, që të aplikoni deri më 11 shtator”, njofton Kurti.


MË SHUME NGA Lajme