Ibrahim Kadriu: “Zbritje në Dekada” është Vazhdim i “Misionit Rus”
BKT
Kulturë

Ibrahim Kadriu: “Zbritje në Dekada” është Vazhdim i “Misionit Rus”

Vera Pelaj/ RTK-Radio

Shkrimtari Ibrahim Kadriu ka botuar romanin e ri me titull “Zbritje në dekada”, e që është vazhdim i romanit të botuar në vitin 2016 “Misioni rus”, i cili ndër të tjerat trajton misionet ruse ndër shqiptarë, përmes hoxhallarëve. Shumica e romaneve të tij kanë bazament dokumentar për ngjarjet historike.

Në intervistë për Radio Kosovën, Kadriu thotë se: “Sikur mos të isha gazetar, nuk do të arrija deri tek ato informata”. Njëzet vepra të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, deri tani janë përkthyer në njëmbëdhjetë gjuhë. Romani “Vdekja e Anilës” së fundi është përkthyer në Siri dhe do të jetë në Panairin e Librit në Riad. 

Pse duhet të “Zbresim në dekada”, zotëri Kadriu?

Ibrahim Kadriu: Ngjarja zhvillohet diku larg, para sa e sa dekadave, prandaj titulli më erdhi më i përshtatshëm. Zbritje, sepse më duhej të zbrisja në ngjarjet e dikurshme, në ato ngjarjet e mbretërisë së Serbisë dhe Jugosllavisë, në kohën e Aleksandrit dhe raportet shoqërore në atë kohë, përkatësisht raportet e shtetit ndaj shqiptarëve që kanë qenë kurrqysh. Kisha shumë ngjarje të asaj kohe. Një nga ngjarjet që më ka lënë përshtypje, që më kanë treguar më tutje lexuesit fill pas botimit të “Misioni rus”, ishte rasti i hoxhës, me të cilin e filloj romanin “Misioni rus”. Nuk është romani për hoxhën, njerëzit e kanë keqkuptuar, madje disa nga hoxhallarët kanë reaguar, duke thënë se nuk mund të jetë e vërtetë që hoxha të jetë rus në Kosovë. Ai ishte problem i tyre, por nuk ka rëndësi ajo për mua. Unë e kisha atë motiv dhe me atë motiv filloi romani. Mjaft lexues më janë lajmëruar dhe më kanë ndalur në rrugë duke më thënë se keni të drejtë se gjyshi, ose gjyshi i babait e të tjerë, kanë treguar për një kohë më të hershme që kanë ndodhur jo vetëm në pozicionin që tregoni ju. Nga shembujt që më kanë treguar ata, fitova përshtypjen se vërtet në një kohë, në kohën e Jugosllavisë së Vjetër, shumica e hoxhallarëve kanë qenë të huaj, janë përgatitur që ta udhëheqin popullin me ideologjinë që atyre u ka interesuar. Kur them atyre, e kam fjalët për sllavët, për ortodoksizmin, se si kanë hyrë në mesin e shqiptarëve myslimanë. Pra, kisha disa raste shumë konkrete, që sikur t’i dija edhe para “Misioni rus”, natyrisht që do t’i shkruaja aty. Më dukeshin interesante rrëfimet e tyre dhe e obligova veten që të vazhdojë një roman tjetër, siç është “Zbritje në dekada”.

Pse shkruani në këtë kohë për këto misione?

Ibrahim Kadriu: Sepse kjo kohë është shumë e brishtë, për të mos thënë krejt e mbrapshtë në aspektin ideologjik, në aspektin e një logjike të mbrapsht të popullatës shqiptare. Është shumë interesant kur mendohet se dikur kanë qenë analfabet 90 e sa për qind e popullit, në kohën e misionit rus, në vitin 1912. Atëherë nuk ka pasur intelektualë shqiptarë myslimanë, por kanë qenë analfabetë. Analfabetizmi ka vazhduar dhe shtypja shqiptare shtetërore ka vazhduar në mënyrë që t’i ndjekin shqiptarët nga Kosova, nga viset ku ishin, që të popullohej vendi me serbë e malazezë. Atë kohë, ata kanë punuar me analfabetë  dhe u është ofruar që ta imponojnë një përkatësi kombëtare tjetër, jo shqiptare. Në kohën e ish Jugosllavisë nuk ke guxuar fort të thuash unë jam shqiptar sepse është thënë, ti je turk. Pra, është shkuar në këtë parim turk në mënyrë që të regjistrohen shqiptarët si turq, të cilët nuk kanë ditur turqisht dhe pas luftërave turko-sllave e shqiptare që janë bërë, është thënë që të gjithë ata që janë të regjistruar si turq, duhet të shkojnë në Turqi. Kontratat që i kanë lidhur në kohën e ish Jugosllavisë, i kanë lidhur pikërisht për turqit dhe pikërisht për atë popullatë, duke thënë se ky është populli juaj dhe nuk kanë lidhje me shqiptarinë. Kështu, me qindra e mijëra shqiptarë janë përplasur në Anadoll. Po e lë këtë temë se nuk dua të hyjë në histori, por sot, në këto kushte, në këtë ngritje intelektuale, sa universitetet, sa profesorët, sa akademikët…në këtë kohë, të infiltrohet ekstremizmi islam në Kosovë me ngritjen e xhamive dhe tërheqjes së të rinjve, është më tepër se sa ironi dhe idioteske. Është e çuditshme se si ndodh sot me gjithë këta intelektualë të dalë parimi fetar në plan të parë. Unë nuk jam kundër fesë, se njerëzit e kanë keqkuptuar dhe thonë se Ibrahim Kadriu është kundër myslimanizmit. Nuk jam kundër myslimanizmit, por të jetë myslimanizmi tradicional, siç e kemi pasur. Kam shkruar dhe libër të posaçëm me titull “Përtej binarëve”, brenda të cilit e kam infiltrimin arab, në kuptimin e ekstremizmit arab përmes shoqatave të ndryshme në Prishtinë. Libri “Përtej binarëve” u botua në gjuhën frënge në Paris, u botua në Aman edhe në gjuhën arabe. Më është thënë se si ke guxuar të shkruash kundër ISIS-it. Për kuriozitet, ma dërguan një faqe të një gazete arabe, ishte një faqe e madhe dhe një fotografi në mes të tekstit. Në një kënd ishte libri, në këndin tjetër e kishin vënë një portret timin, e në mes, tre persona të ISIS-it, me armë në shpinë. Ata që ma dërguan, më thanë: “Këta të tre po të kërkojnë ku je”!  

E përkthyet ju që ta dini se çfarë kanë shkruar?

Ibrahim Kadriu: E kanë lavdëruar librin dhe njëri që bisedova me të, e që e dinte gjuhën, më tha se ata në Aman janë kundër ISIS-it, kështu që, atyre ai libër u ka shkuar për shtati. Ai libër ka shkuar edhe nëpër panaire të librave. Derisa ndodh edhe në botën arabe të jenë kundër, te ne ndodh e kundërta. Çdo ditë i shohim duke mbajtur ligjërata e që janë ligjërata aq negative për logjikën e shëndoshë të njeriut. Po e them dhe këtë se ne jemi shtet laik. Natyrisht, feja e ka vendin e vet, por feja nuk guxon të përzihet. Çfarë ndodh te ne?! Për ato dreq votash, politikanët tanë i kam parë për ditën e Bajramit, të shkojnë të parët në sexhde me hoxhallarë dhe falen për ditën e Bajramit. Nga islami politik është rrezik ta humbim identitetin. Krejt çështja është që shqiptarëve t’u humbet identiteti. Disa hoxhallarë thonë se në radhë të parë është feja, pastaj shteti. Kur e lexon Fishtën dhe disa hoxhallarë të hershëm që kanë thënë “ T’i heqim kishat dhe xhamitë dhe shqiptarizmi është në radhë të parë”, kur e mendon që në atë kohë kanë vepruar kështu, e sot dalin ligjërues fetarë e propagandojnë një ideologji të tillë, do të duhej jo të lihen të hyjnë në xhami, por t’i mbyllin. Më thonë se çka po të hynë ty në punë kjo çështje? Jo mua, por kombit në përgjithësi. Ideologjia serbe, konkretisht Çubriloviqi, ka thënë: “Që të zgjerohemi ne serbët, duhet të pakësohen shqiptarët dhe duhet t’ua mundësojmë fenë”. Pra, nuk i lënë të shkojnë në shkollë, por të merren me fenë. Në librin “Zbritje në dekada” e kam të shkruar se nuk i lënë të shkojnë në shkollë e u thonë shqiptarëve të shkojnë në Medrese. Medresenë në Shkup e ka krijuar shteti i Serbisë, me emrin “Mbreti Aleksandër”, i cili nuk i lejon shkollat shqipe. Të dokumentuara janë në libër që të gjithë profesorët e asaj shkollë janë serbë ose rusë, pak boshnjakë, të cilët i mësonin fëmijët shqiptarë dhe i orientonin nga të shkojnë. Kjo është ajo që mua më ka penguar dhe vazhdon të më pengojë. Në Prizren, kur organizuan mbrëmje për librin “Misioni rus”, derisa flisja, përballë e kisha xhaminë. Kishte shumë publik dhe më pyesnin lidhur më misionin rus. Iu thashë se nisma ka qenë te kjo xhami këtu, sepse ka qenë hoxha rus. Pasi mbaruam mbrëmjen, erdhi hoxha dhe më tha se: “Pse e drejtuat gishtin nga xhamia?”. I thashë se tregova motivin për librin. Nuk ke bërë mirë, më tha. Më pas, erdhi njëri e më pyeti se çfarë të tha hoxha. Kur i tregova, më tha se edhe ai hoxhë nuk është shqiptar, është nga Turqia.

Sa ka lidhje “Zbritje në dekada” ndërmjet realitetit dhe fiksionit letrar?

Ibrahim Kadriu: Shumica e romaneve të mia janë me bazament dokumentar, ngjarjet e ndryshme historike më kanë bërë përshtypje. Ato ngjarje natyrisht, meqë romani nuk është ditar, nuk është dokument historik në kuptimin me fusnota, etj, është roman dhe ka fiksion. Natyrisht, shkrimtarit i duhet fiksioni për ta ofruar ngjarjen dhe për t’ia shtuar dramaticitetin veprës. Unë e kam bërë me vetëdije dhe kam vërejtur se ndoshta kjo formë e të shkruarit të romaneve, ka ndikuar që të ketë lexues të shumtë. Nuk ka ditë që nuk më ndalon dikush në rrugë e të më thotë se e lexova këtë ose këtë roman. Pra, kjo është çështja e fiksionit për të ofruar me lexuesin.

Sa ka ndikuar puna juaj në gazetari për ta shkruar këtë zhanër të romaneve?

Ibrahim Kadriu: Thonë se gazetaria ndikon negativisht. Përkundrazi, te unë ka ndikuar pozitivisht. Si gazetar më ka rënë të shëtis shumë, të kontaktoj shumë me njerëz dhe me ngjarje. Sikur mos të isha gazetar, nuk do të arrija deri tek ato informata. Njeriu mund të informohet duke lexuar, por kur i dëgjon të gjalla rrëfimet nga të tjerët, të nguliten në kokë. Ato rrëfime më kanë ndihmuar shumë, që do të thotë se puna si gazetar më ka ndihmuar shumë.

Çfarë është cilësia e romaneve në ditët e sotme, në letërsinë shqiptare?

Ibrahim Kadriu: Gjithmonë u iki vlerësimeve të tilla sepse duhet të përmenden romane, filan autori kështu e ashtu. Nuk kam dëshirë të hyj në koncepte qoftë ideore, qoftë letrare të një autori. Në përgjithësi them që tani janë disa të rinj, të cilët dallohen me cilësi të mira. Mburrem me ta dhe iu them drejtpërdrejt kur takohemi, Urime! Gati çdo botim që del, nga emrat që i njoh, i lexoj. Librat nuk i lë në vitrinë, por mbi tavolinë derisa e mbaroj leximin. Kam një mendim jashtëzakonisht të mirë për një grup të rinjve. Shpresat janë të mëdha për një letërsi të mirë.

Jeni ndër autorët më të përkthyer në gjuhë të tjera. Cilat vepra  i keni të botuara në gjuhë të huaja dhe në cilat gjuhë?

Ibrahim Kadriu: Vepra ime është përkthyer që në vitet ’80-ta, duke filluar nga romani “Kroi i ilaçit” e vëllime poetike, por në atë kohë janë përkthyer në gjuhën serbe, ndërsa sot, vetëm në Francë janë përkthyer dhe botuar gjashtë romane të mia. Dje mora një kërkesë nga një botues, i cili i ka botuar tri romane, për t’i ribotuar. Botimet janë në suedisht, italisht, greqisht, anglisht, turqisht, rumanisht, etj. “Misioni rus” është botuar në Francë, është përkthyer në kroatisht dhe do të botohet në këtë gjuhë, është përkthyer dhe botuar në Turqi me dy mijë ekzemplarë. Në muajin maj më ka kontaktuar një botues nga Siria dhe e kërkoi romanin “Vdekja e Anilës” që është botuar në Francë. E kërkoi në frëngjisht që ta përkthejë nga frëngjishtja në gjuhën e tyre. Ma kanë dërguar kopertinën, më kanë thënë që është përkthyer dhe botuar dhe që është gati për Panairin e Librit në Riad, që hapet këtë muaj. Kjo gjë nuk është pozitive vetëm për mua si autor, por edhe për shtetin e Kosovës. Ende nuk ka ndodhur që asnjë institucion i Kosovës të më thërrasë të paktën në telefon, e të më thotë urime. Unë nuk iu kam trokitur në derë asnjëherë. Deri tani janë përkthyer 20 vepra të mia në 11 gjuhë të ndryshme.        


MË SHUME NGA Kulturë