Ndalimi i zyrtarëve, nënkryetari i Prishtinës intervistohet nga policia
Sh.Ç /RTKlive
Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se është intervistuar pasditen e kësaj të premte nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.
Zogaj ka bërë të ditur se intervistimi i tij është bërë lidhur me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Zogaj në Facebook.
Ai ka thënë se institucionet e rendit dhe të drejtësisë janë duke e trajtuar këtë rast dhe “ne mbesim në dispozicion e tyre, që rasti të trajtohet në plotni në pajtim me legjislacionin në fuqi”.
Gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka lëshuar aktvendim për ndalimin e dy zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën.
Sipas njoftimit për media, ata dyshohet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm.
Prokuroria ka thënë se në koordinim me Policinë po vazhdon veprimet hetimore për rastin.























