AGK reagon ndaj një shkrimi të kallxo.com për RTK-në
RTKlive
AGK ka reaguar ndaj një shkrimi të kallxo.com ku pretendohet se tri gra të RTK-së janë diskriminuar në garën për pozita të larta menaxheriale.
Në reagim ndër të tjera thuhet se 'AGK-ja, konsideron se ky është një shans i humbur për të promovuar barazinë gjinore në RTK nga ana e Bordit të këtij institucioni, që në përbërje reflekton barazi gjinore'.
Reagimi ndërlidhet me një shkrim të një jave më parë në kallxo.com, ku janë intervistuar gazetarët Ilire Zajmi, Flora Durmishi dhe juristja Mihrije Beiqi, e ku dy të fundit, nuk janë votuar për pozita menaxheriale nga Bordi i RTK-së.
Në reagimin e sotëm, AGK-ja shkruan se është e zhgënjyer me diskrimimin gjinor dhe se RTK-ja, duhet të motivojë gratë për të konkurruar në pozitat më të larta, dhe t’i bëjë ato pjesë të barabartë të vendimmarrjes.
Në paraqitjet e mëhershme në komisionet parlamentare, drejtuesit e RTK-së, kanë prezantuar fakte se gjatë 18 muajve të fundit, RTK i ka pasur 2 gra në Menaxhmentin e Lartë dhe në pozitat e menaxhmentit të mesëm janë emëruar 6 gra, duke e sjell në përqindje të barabartë numrin e grave dhe burrave në pozita drejtuese.























