FSK-ja e gatshme të ndihmojë në operacionin e kërkim-shpëtimit në Marok
E.Hoti/ / RTKlive
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shprehur keqardhje për situatën e shkaktuar në Marok, si pasojë e tërmetit të fuqishëm, me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit, i cili shkaktoi pasoja katastrofale.
Maqedonci ka thënë se ministrit Loudiyi i ka shprehur gatishmërinë që FSK-ja të ndihmojë me të gjitha kapacitetet e specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura.
“Në këto çaste të vështira për mbretin e Marokut, Mohammed VI dhe popullin maroken lutjet tona janë me ta. Ministrit Loudiyi i shprehim gatishmërinë tonë të plotë që të ofrojmë ndihmë me të gjitha kapacitetet tona të specializuara për kërkim-shpëtim dhe rimëkëmbje në zonat e prekura”, ka thënë Maqedonci.
Ai ka uruar që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, teksa ka ngushëlluar familjet të cilat kanë humbur më të dashurit e tyre.
“Urojmë që numri i viktimave dhe dëmeve të jetë sa më i vogël, ndërsa familjeve të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre u shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Lutemi që ta kaloni këtë sfidë të rëndë!”, ka theksuar me këtë rast ministri Maqedonci.























