Lajçak: Po punojmë për takimin e 14 shtatorit
E. Hoti / RTKlive
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se është duke punuar drejt rezultateve pozitive në procesin e dialogut Ai tha se përgatitjet për takimin e 14 shtatorit po kryhen me shpejtësi.
Lajçak përmes një postimi në Facebook njoftoi se java e kaluar ishte e mbushur me punë përgatitore për takimin në Bruksel, ku do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Përgatitjet për takimin e dialogut të nivelit të lartë më 14 shtator janë me shpejtësi të plotë dhe ne po punojmë drejt rezultateve pozitive”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë të ditur se me zyrtarë të Gjermanisë kanë krijuar një strategji për rrugën përpara në dialog.
“Gjatë javës udhëtova në Berlin, ku pata diskutime të rëndësishme në Kancelarinë dhe Ministrinë e Jashtme Federale Gjermane.U takova me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme Tjorven Bellmann dhe me Kryekëshilltarin e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë të Kancelarit Gjerman Jens Plötner. Ndamë pritshmëritë tona për takimin e nivelit të lartë dhe hartuam strategji për rrugën përpara. Përkushtimi dhe mbështetja e fuqishme nga Gjermania vazhdojnë të jenë të paçmueshme”, ka thënë tutje Lajçak.
Pas kthimit në Bruksel të enjten mbrëma, Lajçak njoftoi se u takua edhe me të dërguarin e Ballkanit Perëndimor, Lord Peach.
“Shkëmbyem mendime rreth zhvillimeve të fundit në rajon. Vlerësimi i Lord Peach për situatën e sigurisë si një ekspert me përvojë në atë fushë vlerësohet gjithmonë”, ka deklarua ndër të tjera Lajçak.























