Takimi Kurti-Vuçiq, në fokus zbatimi i marrëveshjes për normalizim|Video
Arbresha Berisha/RTK
Bashkimi Evropian ka publikuar agjendën e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili do të mbahet të enjten në Bruksel. Fokusi i diskutimeve në këtë takim do të jetë në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, e çështjet aktuale. Njohës të këtij procesi shprehen skeptikë sa i përket arritjes së ndonjë ujdie. Ky takim është i pari pas tensioneve në veri dhe pas masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Kanë mbetur edhe dy ditë kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, do të ulen përballë njëri-tjetrit në tryezën e dialogut në Bruksel.
Para takimit trepalësh, Bashkimi Evropian ka njoftuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojë takime të ndara me palët, të cilat do të fillojnë në orën 09:00.
“Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale”
Në lidhje me agjendën e këtij takimi, për RTK-në janë deklaruar edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Në takimin e radhës, pika boshte e takimit pritet të jetë diskutimi drejt finalizimit të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës”, tha zëdhënsi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti të hënën mbrëma ia ka konfirmuar emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gatishmërinë për t’u angazhuar në negociata aktive gjatë takimit të së enjtes.
Mirëpo, njohës të këtij procesi thonë se nuk presin rezultate nga ky takim, derisa kërkojnë që BE të jetë më e ashpër ndaj Serbisë.
Për herë të fundit, liderët e dy shteteve ishin takuar në Bruksel më 2 maj.























