Takimi i 14 shtatorit, përfaqësuesit politikë në Serbi shprehën pesimistë
Anamari Repiç/RTK
Në prag të takimit në Bruksel, përfaqësuesit politikë në Beograd besojnë se në terren asgjë nuk tregon se takimi i ardhshëm do të jetë më domethënës se takimet e mëparshme.
Në prag të takimit në Bruksel, Beogradi zyrtar kërkon që të zbatohet Marrëveshjet e Brukselit dhe të formohet Asociacioni. Presidenti Vuçiq tha se takimi me kryeministrin Kurti do të jetë i vështirë. Pesimist për këtë takim është shprehur ish-kryenegociatori i Serbisë, Borko Stefanoviq.
“Derisa nuk mund të flitet që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Prishtina duhet ta kuptojë këtë si joreale dhe të pamundur, rregullimi i marrëdhënieve tona, zgjidhja e problemeve të shumta, është e nevojshme. Mirëpo, me këto dy elita politike nuk është e mundur, dhe kjo ndoshta do të tregohet në Bruksel. Te dyja anët kanë marrë disa obligime për t'i zbatuar, por në fakt është një situatë ku të dyjat kalkulojnë dhe presin zgjedhje për Parlamentin Evropian, zgjedhjet amerikane me shpresën se diçka do të ndryshojë, por kjo nuk do të ndodhë”, tha për RTK, Borko Stefanoviq, ish kryenegociatori i Serbisë
Përfaqësuesit politikë besojnë se asgjë në terren nuk tregon se takimi i ardhshëm do të jetë më domethënës se takimet e mëparshme.
“Nuk presim ndonjë zhvillim thelbësor, kemi kokëfortësinë mes Vuçiqit dhe Kurtit. Më duhet të pranoj para së gjithash kokëfortësinë e Kurtit për t'i çuar përpara disa gjëra sipas marrëveshjeve që u pranuan fillimisht dhe që na dhanë të gjithëve njëfarë shprese dhe optimizmi se gjërat vërtet do të ndryshojnë për mirë”, theksoi, Pavlle Grboviq, nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë.
Derisa mendohet se tani situata është më e keqe sesa ishte para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, një pjesë e opinionit mendon se takimi në Bruksel është i rëndësishëm sepse vjen pas një periudhe të gjatë tensionesh, dhe se tani ka paralajmërime nga komuniteti ndërkombëtar se nëse palët nuk i përmbushin detyrimet e tyre, do të ketë pasoja.























