Kusari-Lila: Pezullimi i ligjeve nga Kushtetuesja, mekanizëm opozitar
BKT
Lajme

Kusari-Lila: Pezullimi i ligjeve nga Kushtetuesja, mekanizëm opozitar

M.Miftari/RTKlive

Këtë javë nis sesioni i ri i Kuvendit të Kosovës, ku pritet të ketë shumë zhvillime, por si do të shkojnë gjërat ka shumë pikëpyetje, ngase opozita ka paralajmëruar se nuk do të votojë asgjë, Këtë të enjte do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për çështjen e teksteve shkollore, derisa po në këtë ditë është edhe takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Për të diskutuar për të gjitha këto çështje, në 'RTKPrime', është ftuar Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së, e cila së pari përmendi punën dhe angazhimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast përmendi ligjet që janë miratuar dhe që janë në procedurë, por që premtoi se në Kuvend do të punohet me më me përkushtim e angazhim maksimal

“Ajo që qytetarët presin nga ne, në kuptimin e legjislaturës të kemi jo vetëm harmonizimin dhe koordinimin, por edhe në funksionimin e rezultateve konkrete”, deklaroi Kusari-Lila në “RTK Prime”, teksa për opozitën ajo u shpreh se ka nuk ka konsistencë në qëndrimet e tyre, veçmas kur është në pyetje organizimi i zgjedhjeve parlamentare.

Furnizimi me tekste shkollore, Kusari-Lila pranoi se është shkaktuar një tollovi

Lidhur me këtë çështje, të enjten në Kuvend do të ketë seancë parlamentare të thirrur nga opozita, që ishte thirrur, në fakt, ditë më parë, por që dështoi. Arsyeja e thirrjes për këtë seancë ishte dështimi i furnizimit të nxënësve me libra shkollorë.

Kryetarja e GP të LVV-së, Kusari-Lila, tha se edhe në të kaluarën nuk ka ndodhur që nxënësit të jenë furnizuar me libra shkollorë që në ditën e parë, apo që mësimi të ketë filluar më 1 shtator, derisa përmendi një varg të metash në të kaluarën në furnizimin me tekstet shkollore.

“Këto kanë qenë arsyet për të marrë një vendim që është marrë me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe për t’u siguruar që të gjithë fëmijët të kenë libra”, deklaroi Kusari-Lila.

Ndërsa lidhur me këtë çështje që opozita po mëton ta bëjë kauzë të sajën, Kusari-Lila shtoi se nuk i kanë ikur debate, por se kanë kërkuar pak kohë që të vërtetohet nëse janë furnizuar të gjithë fëmijët me libra shkollorë.

“Është mirë që të dihet në mbarë Kosovën se si ka shkuar ky proces i furnizimit të librave”, deklaroi tutje Kusari-Lila, duke shtuar se nuk ka pasur qëllim që të dëmtohet askush, as të përfitojë ndokush, por, është përpjekur që të mos dëmtohet buxheti i shtetit.

Tutje, Kusari-Lila pranoi se është shkaktuar një tollovi dhe nënvizoi se ka pak komuna që nuk kanë fare librari në furnizimin e fëmijëve me libra shkollorë.

Se a është ligjore apo jo, një veprim i tillë çfarë ka ndodhur me furnizimin e fëmijëve me tekstet shkollore, Kusari-Lila u shpreh se nuk ka ndodhur një gjë e tillë, “përderisa kemi një procesim mjaft të shpejtë.

Lidhur me aferat e përmendura për korrupsion e për çështje të tjera, Kusari-Lila, shtoi se akuzat e partive opozitare janë të karakterit retorik opozitar, asgjë më tepër, ngase, shtoi ajo,  ende pa pritur verdiktin nga organet përkatëse, ata vijnë me akuza të ndryshme.

Ndërkaq lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare, Kusari-Lila u shpreh se të gjitha marrëveshjet e tilla janë të rëndësishme, por që për votimin e tyre duhet pyetur opozita, ngase, sikundër tha ajo, “ne kemi treguar përkushtim në raport me këto marrëveshje, derisa përkujtoi  një sërë ligjesh që janë miratuar në sesionin pranveror në Kuvend, siç janë: reforma zgjedhore, procesi i vettingut, që tani është në Gjykatën Kushtetuese, aktivitetet me grupet punuese për Prokurorinë e çështje të tjera në Komisionet Funksionale”.

“Në shoqërinë demokratike pozita të ketë gardianët e demokracisë, që, përveç opozitës janë edhe OJQ-të, që kanë detyrat e veta dhe pushteti që ka shumicën në Kuvend, si dhe opozita nuk janë për funksion, që do të thotë se nuk bën të abstenosh nga detyra jote si opozitë, përveç nëse nuk ka një orientim të qartë”, deklaroi Kusari Lila në ‘RTK Prime’.

Ajo, tutje, shtoi se nuk ka ndonjë kauzë që do të mund të orientoheshin partitë opozitare, derisa përmendi të kaluarën e partive që dikur ishin në pushtet dhe shtroi pyetjen se cili është ndryshimi I tyre, në krijimin e kauzave, prej origjinës e deri në finalizim të synimit të tyre.

Kusari Lila: Audioinçizimi është ilegal dhe i manipuluar

Lidhur me incizimin, kryetarja e GP të LVV-së, Kusari-Lila tha se është ilegal dhe i manipuluar.

“Incizimi është i manipuluar dhe ilegal, për arsye se pot ë lëshohej në tërësi dhe përveç faktit që kishte të bënte me agjendën legjislative, mbahet takimi vetëm në Kuvendin e Kosovës, pra nuk ka pasur bisedime jashtë hapësirave të Kuvendit, në marrëveshje të fshehta ose për përfitime individuale, çdo gjë ka të bëjë rreth votimit,si dhe e fundit, që është ndalur nga ai inçizim, është momenti kur ndërpritet çdo komunikim me Sllavko Simiqin”, sqaroi Kusari-Lila, ndërsa shtoi se arsye e kësaj bisede ishte tentimi në kthimin në votim në, siç tha ajo, diçka që është bazike, në votimin e ligjeve të rëndësisë vitale, të cilën nuk e kanë pranuar.

Lidhur me këtë çështje, Kusari-Lila bëri të ditur se ka bërë padi penale dhe ende nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet se ajo ka biseduar me Radojçiqin së paku tri herë, Kusari-Lila e mohoi kategorikisht, teksa mohoi se një veprim i tillë i saj përbën një vepër penale, përderisa sqaroi se  incizimin e ka bërë Sllavko Simiq.

Rezervat shtetërore, Kusari Lila: Nuk është dokumentuar se dikush nga transaksionet ka përfituar

Lidhur me rezervat shtetërore, që është trajtuar edhe nga organet e drejtësisë, shefja e GP të LVV-së tha se, për dallim nga e kaluara, kohëve të fundit, si pasojë e luftës në Ukrainë, ku është bërë ndalimi i eksportit të grurit dhe të produkteve të tjera bazike nga ai vend, si një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, duke shkaktuar rrethanat më dramatike.

“Nëse ka pasur ndonjë shkelje në situatën e mospërmbushjes së kontratës, në vlerën rreth 3%, më shumë se kontest administrative midis palëve, në këtë rast porositësi dhe dërguesit, nuk  shoh tjetër problem”, deklaroi Kusari-Lila në RTK Prime.

Veç tjerash, ajo shtoi se nuk është dokumentuar diku se dikush nga transaksionet ka përfituar materialisht apo të ketë shkaktuar, sikundër tha ajo, dëm publik, etj.

Kusari-Lila, ndër të tjera ka kritikuar Prokurorinë për mosefikasitet në procedim dhe vlerësim të rasteve.


MË SHUME NGA Lajme