Osmani e Ulutaş biseduan për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in
M.Miftari/RTKlive
Në prag të marrjes së detyrës së komandantit të ri të KFOR-it, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş, shoqëruar nga komandanti aktual, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.
Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se presidentja Osmani shprehu besimin e plotë në bashkëpunimin e ngushtë me gjeneral Ulutaş gjatë udhëheqjes së tij të KFOR-it në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon.
Po ashtu, gjatë takimit presidentja Osmani ka theksuar nevojën për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të KFOR-it dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, në funksion të menaxhimit efektiv të sfidave të mjedisit të sigurisë rajonale dhe më gjerë.
“Presidentja Osmani e njoftoi komandantin në ardhje të KFOR-it për këto sfida të sigurisë, të cilat në veri të vendit shkaktohen për shkak të strukturave ilegale të dirigjuara nga Serbia, të cilat po ashtu kanë udhëhequr sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj si dhe sulmet e njëpasnjëshme ndaj policisë së Kosovës dhe gazetarëve”, thuhet në njoftim.























