I pari i hendbollit evropian falenderon FHK-në për organizimin e Evropianit
Uran Krasniqi/RTKLive
Presidenti i Federatës Evropiane të Hendbollit, Michael Wiederer ka falenderuar Federatën e Hendbollit të Kosovës për organizimin e Kampionatit Evropian, i cili ishte mbajtur muaj më parë në Kosovë.
Sipas një njoftimi nga FHK, i pari i hendbollit evropian ka takuar presidentin e FHK-së, Eugen Saraçinin dhe sekretarin e përgjithshëm, Izet Gjinovci.
"Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, sot morën pjesë në punimet e Kongresit të 16-të të rregullt të Federatës Evropiane të Hendbollit. Në rend të ditës kishte pika të shumta, duke përfshirë ndryshimin e disa neneve në Statut dhe ndryshimin e disa rregulloreve. Gjatë qëndrimit në Bazel të Zvicrës, Saraçini e Gjinovci u takuan me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe presidentin e EHF-së, Michael Wiederer. Gjatë takimit, presidenti Wiederer falënderoi FHK-në për organizimin e shkëlqyer të Evropianit për hendbolliste në Prishtinë", ka bërë të ditur FHK. "Ndërkohë presidenti i IHF-së, Moustafa, nesër në selinë e tij në Bazel pret në takim Saraçinin e Gjinovcin. Do të diskutohet për "IHF Trophy" që mbahet muajin tjetër në vendin tonë dhe për projekte të tjera".























