Akademia për udhëheqësi në komunitet së shpejti me edicion të dytë
M.P / RTKlive
Edicioni i dytë i Akademisë për Udhëheqësi në Komunitet nga KCSF (Organizata udhëheqëse në fuqizimin e shoqërisë civile në Kosovë) është në ardhje e sipër. Aplikimet kanë nisur, teksa kësaj radhe bazat e shteteve demokratike do t’iu ligjërohen të rinjve të rajonit të Dukagjinit.
Selvije Kurti, zyrtare për ngritje të kapaciteteve në programin për angazhim qytetar të KCSF-së ka treguar për RTK-në se si akademi është bashkëprodhim me organizata të huaja. Ndërkaq përparësi e saj është se është përshtatur me kontekstin në Kosovë përmes ekspertëve lokalë.
“Ky program zgjat rreth 12 javë por nuk përfundon aty. Ka edhe aktivitete tjera. Janë rreth 24 module, metodologjia është jashtëzakonisht interesante sepse jep mundësi për reflektim kritik për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe të gjitha parimet e tjera”, tha ajo në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.
Edicioni i parë ka qenë prezentë në Prishtinë, e tashmë destinacioni i radhës është Peja. Gjithpërfshirja do të sigurohet nëpërmjet nëntë edicioneve të cilat do të shtrihen në lëvizje nëpër gjithë vendin.
“Ideja e Akademisë është që të kemi vullnet të mirë për të kontribuar dhe realizuar iniciativa, mos të jemi indiferentë ndaj ngjarjeve në komunitet. Shkathtësitë zhvillohen gjatë programit, iu jepet mundësia që të krijohet shpirti i ekipës e jo të veprojmë individualisht”, deklaroi Selvije Kurti.























