Korenica: Kryetari i Bordit është goditur pandershëm
M.Miftari/RTKlive
( E përditësuar 23:58)Deputeti i Kuvendit të Kosovës Visar Korenica po ashtu në edicionin e Lajmeve të Fundit në RTK ka folur edhe lidhur me zhvillimet e fundit në RTK, përkatësisht një deklaratë të kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini dhe debatin që është zhvilluar mbi të.
Korenica tha se nga ajo që ka përcjellur deri më tani, nuk ka të bëjë aspak me gjuhë seksiste, por me një përshkrim të asaj që i është komunikuar nga punëtorët.
“Konsideroj që në publik është goditur pandershëm kryetari i bordit, në kuptimin që e di që nuk ka pasur qëllim bullizues ndaj grave në këtë rast. Ai e ka shprehë një shqetësim që dikush ia ka shprehë. Unë nuk mendoj që ka qasje seksiste kryetari i bordit, e heq dilemën nga vetja për këtë dhe ju mund t’i bëni pyetje drejtpërdrejt”, tha Korenica.
Ai ka thënë se shprehjet e tilla ku është një takim publik dhe incizohet gjithçka apo kur shpreh një pakënaqësi të dikujt duhet të jenë më të matura, por është shumë me rëndësi dhe dallon a e ka bindje që e shpreh apo e shpreh se vetëm dikush ia ka përcjellë ashtu.
“Në anën tjetër janë qëndrime korrekte, sepse vet kam pasur informacione të sakta që disa punëtorë të pandërgjegjshëm kanë keqpërdorur precenzën e tyre në këtë institucion publik dhe janë paguar pa shkuar në punë dhe këtë e thotë edhe raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.
Kodi Civil, Korenica: Nëse është dokumenti i njëjtë, nuk do të votohet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Visar Korenica ka folur për një varg çështjesh, mes tjerash për dialogun Kosovë-Serbi, për punimet në seancat e Kuvendit të Kosovës, e ku në spikamë e vë çështjen e Kodit Civil.
Rezultati i takimit të djeshëm në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për deputetin Korenica ishte i pritshëm.
“Për mua personalisht ka qenë i pritshëm, sepse deri më sot të gjitha përfaqësimet të kryeministrit jashtë vendit kanë qenë dinjitoze. Nga takimi i djeshëm është parë se sa problematike është të luftosh vendin tonë e në këtë drejtim kryeministri ynë po e kryen detyrën e tij shumë mirë”, ka deklaruar mes tjerash Korenica në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Tutje, në këtë drejtim Korenica shtoi se fatkeqësisht Serbia po ledhatohet nga ndërkombëtarët, derisa pati vërejtje ndaj ndërmjetësuesve Borrell e Lajçak se nuk po insistojnë që Vuçiq të nënshkruajë për çështejt për të cilat arrihen marrëveshjet.
E lidhur me “Udhëzimin Administrativ” ku ndalohet qasja e vajzave me shamia në shkolla, deputeti Korenica u shpreh se ky udhëzim, që po përsëritet ndër vite, të hiqet që të mos ketë pengesa në ndjekjen e mësimit në shkolla, sikundër tha ai, për vajzat tona.
“Është një e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë e me ligjin për arsim që fëmijët tanë të kenë shkollim të dinjitetshëm”, deklaroi Korenica, derisa shtoi se ka pasur takime të drejtpërdrejta me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për çështjen në fjalë, që të marrë vendim për ta shfuqizuar atë vendim, sipas tij, i padrejtë.
Tutje, deputeti Korenica tha se duhet që secilit fëmijë t’u mundësohet shkollimi, të gjitha ato mundësitë që jep shteti për edukim.
Ndërkaq lidhur me ligjin për Kodin Civil, për miratimin e të cilit ministrja Albulena Haxhiu kohë më parë ishte shprehur optimiste, deputeti i cili rrjedh prej të njëjtës subjekt politik, tha se nuk di të kemi pasur ndonjë takim për këtë punë.
“Megjithatë është deklaratë e ministres dhe qëndrimi është i njëjtë. Ne kemi diskutuar publikisht për këtë çështje. Nuk do të ketë përkrahje nëse është dokumenti i njëjtë”, deklaroi mes tjerash, deputeti Korenica në “Lajmet e fundit”, në RTK.
Ai më tej shtoi se duhet me fanatizëm ta mbrojmë familjen tonë.























