Muhaxhiri: Takimi i 14 shkurtit e komplikoi edhe më shumë dialogun
Albana Bajrami/Radio Kosova
SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të lejojnë që të shkojnë dëm investimet që kanë bërë gjatë këtyre viteve në dialog, tha në një bisedë për Radio Kosovën, analisti politik Artan Muhaxhiri. Megjithatë, ai theksoi se vëmendja e tyre mund të zhvendoset në tema tjera të rëndësishme në botë dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha për Kosovën.
Takimi i 14 shtatori u konsiderua si një mundësi shumë e mirë për ta kthyer dialogun në binarët e duhur, por për fat të keq ndodhi e kundërta dhe e komplikoi situatën edhe më shumë, duke krijuar një mjegullnajë për të ardhmen e tij. Kështu vlerëson analisti politik, Artan Muhaxhiri, i cili në një bisedë për Radio Kosovën tha se vet fakti që ky takim i ka larguar palët edhe më shumë, e dëshmon dështimin e tij.
“Është fakt i pamohueshëm se sa shumë angazhime e vullnet dhe presione duhen në të ardhmen e afërt, në mënyrë që këto pozicione të afrohen dhe të kemi shpresë për një rezultat pozitiv nga dialogu. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian nuk do të lejojnë që investimet e jashtëzakonshme që kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve në dialog të shkojnë dëm, prandaj edhe nuk është e mundur që ndonjëra palë, kosovare apo serbe, ta bllokojë dialogun deri në atë masë sa të bëhet i paefektshëm dhe të mos ketë asnjë shpresë për rezultat konkret”, tha Muhaxhiri.
Muhaxhiri theksoi se në botë ekzistojnë edhe qindra tema të rëndësishme dhe është e mundur që fokusi dhe interesimi i BE-së dhe SHBA-së të zhvendoset në tema të tjera duke injoruar dialogun, gjë që sipas tij, do të kishte pasoja negative, veçanërisht për Kosovën.
“Sepse Kosova është vendi të cilit i intereson më së shumti përfundimi me sukses i dialogut. Vetëm pas përfundimit të dialogut mund të ketë shpresë për normalizim të pozicionit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Në këtë gjendje si është tani, pra me pesë vende mosnjohëse dhe me shumë probleme të brendshme dhe konflikte politike me SHBA-në dhe me BE-në, Kosova nuk ka një perspektivë pozitive dhe vetëm mund të thellohet izolimi dhe bojkotimi ndërkombëtar ndaj shtetit tonë”, tha Muhaxhiri.
Më 14 shtator në Bruksel u takuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa arritur një rezultat për zbatimin e marrëveshjes bazë. Kryeministri Kurti tha se takimi në Bruksel nuk pati asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit. Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, kritikoi kryeministrin Kurti, duke thënë se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.























