Lajçak: Me partnerët nga BE e SHBA do t’i planifikojmë hapat e dialogut
M.Sh/RTKlive
Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak thotë se kanë pasur pritshmëri të mëdha në takimin e fundit në Bruksel se mund të arrihet rezultat, por pavarësisht kësaj, së bashku me partnerët evropianë dhe amerikanë do të përcaktojnë hapat e ardhshëm të dialogut.
“Kursi aktual i dialogut dhe tensionet në veri të Kosovës do të jenë në fokus të diskutimeve të ardhshme strategjike me partnerët tanë nga SHBA dhe Evropa, me të cilët bashkërisht do të planifikojmë hapat e mëtutjeshëm”, ka shkruar Lajçak në Facebbok, duke i bërë një rezyme rezultateve të javës që mbeti pas.
“Para se të futem në javën intensive të hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, është e rëndësishme të reflektojmë për ditët që kanë kaluar. Javën e fundit e kalova në Bruksel duke u përgatitur për takimin e nivelit të lartë të dialogut të së enjtes me ekipin tim nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell. Siç tregohet në njoftimin për shtyp, kishim pritshmëri më të mëdha”, thotë ai.
Gjithashtu për dialogun i ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së në Bruksel për rezultatet e takimit të nivelit të lartë.
“Jam thellësisht mirënjohës për interesimin dhe mbështetjen e fuqishme për dialogun”, ka shkruar sllovaku Lajçak, i cili thotë se e ka takuar edhe drejtorin e Çështjeve Politike dhe Marrëdhënieve me Jashtë të Këshillit të Evropës, Miroslav Papin, të cilin thotë se e ka njoftuar për dialogun.
“Vlerësoj shumë shkëmbimin tonë konstruktiv të pikëpamjeve për situatën në Këshillin e Evropës dhe angazhimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin në promovimin e vlerave evropiane në Ballkanin Perëndimor”, deklaron Lajçak.























