Kurti: Më 14 shtator pati pozicionim të qartë kundër Kosovës|Video
BKT
Foto: Elmina Osmani / RTK
Lajme

Kurti: Më 14 shtator pati pozicionim të qartë kundër Kosovës|Video

Blerim Halimi | RTKlive

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se propozimi i Kosovës në raundin e fundit të dialogut në Bruksel bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes.

”Gjithëpërfshirjen për të zbatuar secilin nen e përcakton edhe vet aneksi i implementimit i miratuar në Ohër. Aty në atë aneks përcaktohet në tri klauzola specifike, që çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk mund të shprehin obstruksione në asnjë prej tyre”, ka theksuar Kurti në konferencën për media.

Kurti: Nuk lejova skenarin e pakuptimtë të mbysësh tërë Marrëveshjen Bazike përveç Asociacionit

Ai tha se në takimin e parë me Borrell dhe Lajçak iu kërkua që të kalohet menjëherë në procesin e negocimit të statutit të përcaktuar me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike, në lidhje me implementimin e nenit 10.

Kurti tha se me këtë rast ua bëri të qartë ndërmjetësuesve se ‘një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa u dakorduar për një plan të qartë të sekuencimit, duke pasur parasysh faktin se Vuçiq ka kohë që deklaron se nuk ka pranuar marrëveshjen me Kosovën dhe se do të zbatojë vetëm ato që përputhen me vijat e kuqe të Serbisë’.

“Të thuash se një marrëveshje meriton të zbatohet vetëm në gjysmën e saj është e njëjtë sikurse të thuash se marrëveshje duhet mbytur. Prandaj, unë nuk e pranova një skenar të tillë sepse për mua dhe Këshillin Evropian një marrëveshje e tillë ekziston dhe nuk mund të zhbëhet nga askush. Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes sime në media, ku ekspozova këtë skenar të pakuptimtë, në të cilin synimi është të mbysësh tërë Marrëveshjen Bazike përveç Asociacionit, ndërmjetësi lëshoi për media një dokument sekuencimi për të cilin tha se Vuçiqi e pranoi, e Kurti e refuzoi. Një informacion i tillë është tërësisht i pavërtetë. Shtuar këtu se në atë plan të Lajçakut zbatohet pikërisht ajo  çfarë Serbia kërkonte në dokumentin e saj”, ka shtuar Kurti.

Ai e ka vlerësuar si katrahurë informacionin e dalë nga zyra e Lajçakut, teksa ka thënë se paralajmërimet e Vuçiqit u përputhen me ato që më pas tha ndërmjetësi.

Kurti: Nuk mund t'i zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia

Kreu i ekzekutivit ka konstatuar se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti.

“Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen kundër Kosovës. Me situatën që jemi vlerësoj që nuk mund të shtrembërohen gjërat me asnjë hedhje të hirit syve. Ose do të zbatojmë Marrëveshjen Bazike në tërësi të saj ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mundet, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë”, ka thënë kryeministri.

Kurti: Masat duhet të hiqen, deeskalimi ka ndodhur

Ndonëse takimi i 14 shtatorit nuk ka prodhuar rezultat, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se masat e vendosura nga BE kundër Kosovës duhet të hiqen, ngase shtensionimi i situatës në veri ka ndodhur.

“Deeskalimi në masë të konsiderueshme ka ndodhur, ka 2 muaj që s’ka incidente e as protesta të dhunshme. Adresa për rieskalim s’është në Prishtinë, por në Beograd e në hotelin Kopaonik andej kufirit. Deeskalimi do të duhej të ishte i mjaftueshëm për të rimenduar heqjen e masave”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se më datën 15 shtator i ka dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtoni.

 “Nga Parisi dhe Berlini kam konfirmimin se janë pranuar ato. Nuk është çështja BE-SHBA këtu, kemi të bëjmë me një emisar evropian që e ka deformu procesin. Ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është fondamentale. Sa herë ka shkelje të marrëveshjes do të duhej që arbitri t’i bie pipit. Cili është kuptimi që ne merremi vesh për një tekst e pastaj me deklarata e shkelin marrëveshjen e arbitri nuk reagon”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri, teksa ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë rrugën që duhet të ndiqet që atje të ketë zgjedhje të parakohshme.

Bislimi: Kosova s’ka hequr dorë nga njohja de-fakto nga Serbia

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se ofruesit e propozimit franko-gjerman kanë kërkuar që të futet një fazë e ndërmjetme në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ku Kosovës i ofrohet njohja de facto, e më vonë edhe ajo de jure.

Në konferencën për media të mbajtur me kryeministrin Albin Kurti, Bislimi ka thënë se Kosova nuk ka hequr dorë nga marrëveshja finale.

“Pamundësia e faktorit ndërkombëtar ta detyrojë Serbinë të jetë konstruktive në dialog, ka detyruar sjelljen e propozimit franko-gjerman. Ka qenë kërkesë e propozuesve që të futet një fazë e ndërmjetme, ku Kosovës i ofrohet njohja de facto, por njohja de jure mbetet më vonë. Pra, nuk është se kemi hequr dorë nga marrëveshja finale”, është shprehur ai.

Bislimi ka shtuar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, Kurti ka ofruar që të nënshkruhet Marrëvehsja Bazike, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vepruar në keqbesim.


MË SHUME NGA Lajme