Maloku: Konferenca e kryeministrit ishte më shumë një shpërthim
BKT
Lajme

Maloku: Konferenca e kryeministrit ishte më shumë një shpërthim

N.M. /RTRKlive

Albinot Maloku, analist, deklaroi se atë që tha sot kryeministri Albin Kurti në konferencë për media, është dashur ta thotë në Kuvendin e Kosovës para deputetëve. Sipas tij, kryeministri do të duhej që të informonte  deputetët e Kuvendit, para dhe pas takimeve në dialogun në Bruksel e jo në konferencë për media.

 “Sipas një rendi ligjor që rrjedh, Kurti është dashur që të raportonte në Kuvend, para deputetëve , kështu pra e do rendi, është një obligim, rend që rrjedh nga praktikat që kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Konferenca e kryeministrit ishte më shumë një shpërthim, ndoshta jodiplomatik. Ai kishte një diagnostifikim të gjendjes rreth asaj që është diskutuar, sepse për këtë është ekspert”, tha Maloku në emisionin “Info plus” në RTK

Sipas Malokut, konferenca nuk ishte vetëm informim për kundërshtimin e propozimit të BE-së, sa ishte diagnostifikim dhe këtë, sipas tij, do të duhej ta bënte dikush tjetër, sepse jemi futur në një tog- fjalësh: kam kujtuar, kam menduar, kam besuar e kjo nënkupton mosnjohurinë, mosgjeturinë rreth dialogut.

“Sa i përket qasjes së BE-së nuk po e konteston askush dhe njohësit e veprimeve politike po e  dinë së ndërmjetësuesi ka rrëshqitur keq, ka marrë anë dhe se në këtë përqasje do të pësojë fiasko”, tha Maloku, i cili përmendi faktin se dy ndërmjetësuesit në dialog, Borrell e Lajçak, vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Tutje ai shtoi se dialogu është një proces që po vazhdon,  dhe që sot ka një dialog që ka hasur në ngërç.

Sipas Malokut, ngërçe ka pasur edhe më parë, me aktorë të tjerë, por kësaj here ka pasur edhe marrje anë të ndërmjetësuesit dhe kjo e vështirëson situatën.

Kryeministri  Albin Kurti akuzoi të hënën të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se nuk ishte “i paanshëm” në takimin e javës së kaluar ndërmjet palëve.

Kurti, në konferencë për media, tha se propozimi i Kosovës në raundin e fundit të dialogut në Bruksel bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes. Ai tha se në takimin e parë me Borrell dhe Lajçak iu kërkua që të kalohet menjëherë në procesin e negocimit të statutit të përcaktuar me nenin 7 të Marrëveshjes Bazike, në lidhje me implementimin e nenit 10.

Kurti tha se me këtë rast ua bëri të qartë ndërmjetësuesve se "një hap i tillë nuk mund të ndërmerret pa u dakorduar për një plan të qartë të sekuencimit, duke pasur parasysh faktin se Vuçiq ka kohë që deklaron se nuk ka pranuar marrëveshjen me Kosovën dhe se do të zbatojë vetëm ato që përputhen me vijat e kuqe të Serbisë".


MË SHUME NGA Lajme