Krasniqi: Ne brengosemi për demokracinë, jo për kërkesat e Beogradit
M.Miftari/RTKlive
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur, mes tjerash, edhe për situatën në veri të vendit, përkatësisht në katër komunat në veri të vendit, për situatën paszgjedhore atje.
Ministri Krasniqi theksoi se nuk duhet fajësuar kryetarët e komunave për pjesëmarrje të vogël në zgjedhje, por, siç u shpreh ai, Beogradin zyrtar.
“Pjesëmarrja në procesin zgjedhor ka qenë shumë e vogël nga frikësimi i qytetarëve në katër komunat veriore nga Beogradi zyrtar, prandaj nuk duhet fajësuar kryetarët për këtë rezultat, por Beogradi”, deklaroi ministri Krasniqi për gazetarë në Kuvendin e Kosovës.
Ai më tej, shtoi se Kosova është proces konstruktiv në procesin dialogut.
“Kosova është palë konstruktive në këtë proces. Ne kemi tashmë dy herë nga 25% të policisë të larguar nga objektet e komunave, kemi Udhëzimin Administrativ, i cili hap rrugën e peticionit të qytetarëve për largimin e kryetarëve para përfundimit të mandatit dhe besoj se këto duhet të vlerësohen si veprime të vullnetit të mirë të Qeverisë”, deklaroi ministri Krasniqi, derisa shtoi se nuk ka asnjë autoritet t’i kërkojë një kryetari të japë dorëheqje, ai është akt moral.
Tutje, ministri Krasniqi theksoi se ka kontakte të vazhdueshme me kryetarët e komunave, teksa sqaroi se ata kanë mbështetur procesin e peticionit, duke shprehur besimin e tyre në demokracinë.
“Ne duhet të përkujdesemi për demokracinë dhe jo për dëshirat e kujtdo qoftë dhe dhënia e dorëheqjeve të kryetarëve është kërkesë e Beogradit ” deklaroi ministri Krasniqi, ndërsa shtoi se ne nuk jemi këtu për t’u brengosur se çfarë kërkon Beogradi, por si përfaqësues të institucioneve jemi këtu për t’u përkujdesur për demokracinë.























