15:54 / 19.09.2023
Stano për deklaratat e Kurtit: Nuk i komentojmë akuzat e pabaza
Gjeraqina Tuhina / RTK / Bruksel
Zëdhënësi për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili të hënën, në një konferencë për medie, adresoi kritika të rrepta ndaj emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Sa i përket deklaratave të bëra nga Kurti, ne nuk i komentojmë komentet, sidomos nëse ato përmbajnë pretendime të pabaza. Shtetet anëtare të BE-së vazhdimisht e kanë bërë shumë të qartë se ato plotësisht përkrahin emisarin special, Mirosllav Lajçak, sikurse dhe përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, në rolin e tyre si lehtësues në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stano, gjatë konferencës së rregullt të BE-së të mbajtur në Bruksel.























