Boletini: Vitin tjetër RTK-ja më funksionale dhe me program më cilësor
Blerim Halimi | RTKlive
Në kuadër të shënimit të 24-vjetorit të RTK-së, kryetari i Bordit, Besnik Boletini dhe drejtori i përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, sot, kanë qëndruar për vizitë në Zyrën Rajonale të RTK-së në Mitrovicë.
Me këtë rast, kryetari i Bordit të RTK-së, ka thënë se synimi është që transmetuesi publik të zgjerohet edhe me zyra tjera rajonale. “Qëllimi ynë është të zgjerohemi edhe më shumë dhe si synim parësor e kemi hapjen e Zyrës Rajonale në Pejë. Gjithashtu objektiv e kemi edhe hapjen e zyrës në Gjilan. Kjo do të mundësojë që RTK-ja të shpërndahet sa më shumë në terren, të jemi sa më afër qytetarëve dhe të kemi mbulueshmëri në kohë reale dhe cilësi”, ka thënë Boletini.
Ai tutje ka thënë se presin që materialet dhe transmetimet që do të bëhen nga Zyra Rajonale në Mitrovicë të jenë më cilësore, duke pasur parasysh se kushtet janë shumë më të mira dhe po ashtu edhe pajisjet teknologjike janë më të reja.
Duke folur për zhvillimin e mëtejmë të RTK-së, Boletini ka thënë se tashmë transmetuesi publik ka hyrë në një fazë të reformave dhe të një riorganizimi të thellë. “Kjo do të thotë që deri në fund të vitit do ta kemi të qartë konceptin se çfarë nënkupton kjo reformë. Presim që vitin tjetër RTK të jetë shumë më funksionale dhe më organizuar, që do të thotë kushte më të mira të punës dhe program shumë më cilësor. Me hapjen e zyrave të reja rajonale kjo do të bëhet më e lehtë”, ka shtuar kryetari i Bordit të RTK-së.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i RTK-së ka bërë të ditur se kjo studio në Mitrovicë shumë shpejt do të modernizohet dhe nga aty do të prodhohen materiale por edhe do të ketë transmetime të drejtpërdrejt për programet e ndryshme të RTK-së në të gjitha gjuhët.
“Kjo studio do të rregullohet shumë shpejt dhe do të kemi një hapësirë moderne, e cila do të mundësojë që shumë prej emisioneve të xhirohen dhe transmetohen edhe nga këtu. Kjo në një farë forme na sjellë më afër publikut dhe e përshpejton transmetimin e informacioneve dhe programeve në të gjitha gjuhët”, ka thënë Ahmetxhekaj.
Ai ka thënë se bazuar në kapacitetet me të cilat funksionon aktualisht kjo zyre, është duke prodhuar mjaftueshëm material për programet e RTK-së.
“Sigurisht se synimet tona janë që zyra të zgjerohet dhe të operojë edhe me më shumë njerëz e kjo nënkupton se do të ketë edhe më shumë prodhim. E di se pas trazirave që ndodhën në veri patëm dëmtim të aparaturave, por do të mundohemi ta rikuperojmë një gjë të tillë dhe vitin e ardhshëm të jemi në funksionalitet të plotë me pajisje por edhe me njerëz shtesë”, ka shtuar Ahmetxhekaj.
Zyra Rajonale e RTK-së në Mitrovicë është hapur në mars të këtij viti, derisa më herët ishte funksionalizuar Zyra Rajonale në Prizren.























