Ramadani: Jemi të interesuar ta zgjidhim çështjen e pronës së RTK-së
Valbona Thaçi / RTKlive
Forma e pagesës për RTK-në do të rregullohet kur të miratohet Ligji i ri i RTK-së, teksa zgjidhje pritet të ketë edhe për pronën e transmetuesit publik. Një gjë të tillë e ka pohuar Valon Ramadani, kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, në emisionin “Zona e Parlamentit”, në RTK.
Ai ka thënë se synim primar i Qeverisë Kurti është që buxheti të harxhohet aty ku meritohet, e jo aty ku nuk meritohet.
“E kemi rastin e vitit të kaluar kur Bordi i RTK-së ka raportuar te ne, dhe pas atij raportimi kemi diskutuar dhe e kemi ngritur në shumë vende që është hera e parë që RTK-ja ka operuar pa humbje”, tha Ramadani.
Ai tha se RTK-ja për momentin është në rrugë të mirë, sepse ky është viti i parë që ka operuar pa humbje e që ka pasur buxhet më pak se vitet e kaluara, duke theksuar që nuk janë duke u bërë shpenzime të dëmshme, e që sipas tij ka nevojë të ketë reformë të vazhdueshme.
Ramadani tha se forma e pagesës për RTK-në do të rregullohet kur të miratohet Ligji për RTK-në.
“Çështja e financimit të RTK-së nuk mund të rregullohet brenda dy viteve, duhet kohë sepse ka procedura. Vetëm procedurat prej kërkesës së Bordit te komisioni, te thirrja e te rregullimi i këtyre çështjeve brenda grupit parlamentar nuk mund të kryhen brenda dy-tre muajve”, tha ai.
Tutje Ramadani shtoi se çështja e pronës po diskutohet në vazhdimësi, në mënyrë që RTK-ja një herë e përgjithmonë RTK-ja ta ketë pronën e saj.
“Kam përshtypjen që në këtë sesion vjeshtor do të ketë hapa tutje në këtë vijë. Edhe kryetari i Kuvendit por edhe kryetari i Komisionit për buxhet janë shumë të interesuar që të ecet tutje e të rregullohet një herë e përgjithmonë prona e RTK-së”, tha Ramadani.
Duke folur për largimin e punëtorëve që ishin me kontratë mbi shërbime, Ramadani tha disa prej tyre kanë punuar jashtëzakonisht shumë por që do të vijë koha në të ardhmen e do të hapen konkurse dhe se ata duhet të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e mediumit publik.























