Daja: Viktoria favorit po ne nuk hyjmë në fushë të dorëzuar
Uran Krasniqi/RTKLive
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja konsideron se Viktoria Plzen është favorit në ndeshjen e nesërme kundër skuadrës që ai e drejton, mirëpo ai ka premtuar se edhe Ballkani do të mundohet ta bëjë më të mirën.
Ndeshja mes dy skuadrave zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00.
"Favorit është Viktoria Plzen, por edhe ne kemi marrë masat që t'i kundërvihemi. Kundërshtari po kalon në një formë të mirë. Ne kemi shumë respekt pë nivelin e Viktorias, por çdo ndeshje është e veçantë dhe ka historinë e vet. Ne nuk do të futemi të dorëzuar në fushë, do të mundohemi të bëjmë më të mirën nga ne. Shpresojmë që duke pasur edhe fatin me vete të bëjmë diçka këtu në Çeki", ka thënë Daja. "Mendoj që do të jetë një ndeshje po aq e fortë sa ka qenë me Slavian e Pragës".
Trajneri shqiptar ka thënë se kundërshtari ka një eksperiencë jashtëzakonisht të madhe në këto kompeticione, ndërsa Ballkani është një ekip që për herë të dytë gjendet në fazën e grupeve të Conference League. "Viktoria Plzen bashkë me Dinamon e Zagrebit janë favoritët e grupit", është shprehur ai.
Ndërsa futbollisti Albin Berisha ka thënë se pavarësisht se skuadra çeke është favorite, megjithatë edhe futbollistët kosovarë do të mundohen ta kryejnë punën e tyre.























