Themelohet komisioni hetimor për rezervën shtetërore
M.P. /RTKlive
(E plotësuar ora 15:40) Pas një debati të gjatë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervën shtetërore.
Drejtues i këtij komisioni është deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, derisa zëvendëskryesuese është deputetja Valentina Bunjaku nga LDK.
(E plotësuar 14:21) Kuvendi Kosovës, po vazhdon debatin lidhur me “Themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla".
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se kjo çështje është shumë me rëndësi për qytetarët. Ai ka theksuar se deputetëve u takon të krijojnë ose mos të krijojnë një komision të tillë. “Ne jemi deputet që kemi bërë betimin, pa marrë parasysh se cilës parti i takojmë. Çështja është nën hetime, por përveç i bëjmë një argat vendit dhe ia bamë një të mirë vendit”, theksoi ai.
Kurse deputeti i Kuvendi të Kosovës, Haki Abazi, ka kritikuar deputetët e pozitës për deklarimet rreth çështjes së themelimit të Komisionit të Rezervave shtetërore. Ai ka thënë se nuk mund të bindet populli për disa njerëz, që ka dyshime ndaj tyre.
Haxhiu: Të themelohet komisioni për kontratat me procedurë të negociuar
(E plotësuar 13:21) Deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së përveç themelimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, ka kërkuar edhe themelimin e një komisioni që verifikon kontratat me procedurë të negociuar.
“Unë mendoj që përtej këtij komisioni hetimor, ky Kuvend duhet të themelojë një komision tjetër hetimor për të gjitha kontratat e klasifikuara sekret shtetëror dhe të gjitha kontratat që janë udhëhequr me procedurë të negociuar”, ka thënë Haxhiu.
Tutje, ai, duke iu referuar një raporti të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka treguar për disa të dhëna në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Kam marrë një raport nga KRPP, ku vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme brenda dy viteve me procedurë të negociuar janë shpenzuar mbi 25 milionë euro. Vetëm për një kontratë, licencën e Microscoft, MPB ka shpenzuar 15 milionë euro procedurë me negocim”, ka thënë Haxhiu.
Përplasje lidhur me themelimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore
N. M. / RTKlive
(E plotësuar, 12:17) Kuvendi i Kosovës ka vazhduar punimet me seancën e radhës, ku në rend të ditës është “Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla".
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar një hetim të thellë parlamentar lidhur me dyshimet për keqpërdorim me rezervat shtetërore.
Gashi ka thënë duke pas parasysh dyshimin e bazuar për abuzimet e mundshme kërkohet që të bëhet hetim i thelluar parlamentar. Sipas tij mandati i këtij komisioni duhet të jetë sipas ligjit, 6 muaj.
Kurse shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se e konsideron hap të ngutshëm këtë kërkesë për hetim parlamentar. Ajo e përshkroi si spektakular aksionin policor ku më 18 gusht janë arrestuar 2 persona pranë MINT-it dhe një afarist.
Kusari ka kërkuar që deputetët e opozitës t’i besojnë prokurorisë. Sipas saj formimi i këtij Komisioni do të kushtonte dhe do të krijonte vetëm shou mediatik.
Deputetes Kusari-Lila, përveç Gashit i ka reaguar edhe deputeti i LDK-se, Driton Selmanaj, i cili argumentet e kësaj deputeteje i ka quajtur banale dhe të paarsyeshme. Sipas tij formimi i këtij komisioni hetimor nuk ka lidhje me procesin gjyqësor.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se janë të gatshëm që të mos marrim fare mëditje nga puna në Komisionin hetimor parlamentar për rezervën shtetërore, vetëm që ky komision të themelohet. Tahiri ka kritikuar shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se po shpenzohen më shumë para sesa mungesa e rezervës që nuk ka arritur.
Në vazhdën e kërkesës për themelimin e Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka kërkuar që të hetohet se cila ka qenë lidhja e të dyshuarit Ridvan Muharremi, me ministren e Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Ai ka kërkuar që të hetohet se cili është roli i tij në rezervat shtetërore.
Miratohet projektligji për parandalimin e dhunës në familje
(E plotësuar, 12:05) Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Për këtë projektligj kanë votuar 62 deputetë dhe të gjitha votat kanë qenë në mbështetje të tij.
Kërkesën dhe arsyetimin për “Themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla”, e bënë edhe shumë deputetë të tjerë të partive opozitare.
Themelohet Komisioni për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit të RTK-së

M. Pasoma / RTKlive
(E plotësuar, 11:25) Është votuar formimi i Komisionit ad-hoc, nëpërmjet të cilit do të bëhet përzgjedhja e anëtarit të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Nga 77 deputetë të pranishëm në sallë, ky komision arriti të sigurojë 68 vota pro, teksa PDK-ja e ka bojkotuar pjesëmarrjen në këtë komision. Ky komision do të drejtohet nga Besim Muzaqi, ndërkaq anëtarë do të jenë Valon Ramadani, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, Nijazi Isaku, Fitim Haziri, Time Kadrijaj, Agim Veliu dhe Vlora Dumoshi.
Dështon votimi i marrëveshjes ndërkombëtare për hekurudha
(E plotësuar 11:10) Marrëveshja ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime ka dështuar të votohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Kjo marrëveshje ka qenë në kuadër të projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, e cila në rast miratimi do të siguronte pjesëmarrjen e Kosovës në rrjetin rajonal të hekurudhave. Pavarësisht prezencës së 82 deputetëve, disa nga deputetët nuk e kanë votuar marrëveshjen, duke bërë që të ketë mungesë të kuorumit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi se kjo marrëveshje do të votohet në një seancë tjetër.
“Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo bartet një seance të re”, tha Konjufca.
Votimin e kësaj marrëveshje e kundërshtoi kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se është koha kur Kosova gjendet nën sanksione të ndërkombëtarëve.
“Republika e Kosovës tashmë është nën sanksione si nga BE ashtu edhe nga SHBA dhe vështirësimi dhe rritja e këtyre sanksioneve paralajmërohet se do të zgjerohet dhe nuk do të zvogëlohet. Prandaj, votimi i një marrëveshje të tillë do të jetë paradoksale sepse s’do të arrijë të realizohet si e votuam si s’e votuam”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë pro votimit të kësaj marrëveshje, ku deputeti Avdullah Hoti nga kjo parti tha se i vjen mirë që një marrëveshje e tillë po shkon drejt finalizimit.
“Kjo linjë hekurudhore e bën Kosovën pjesë të rrjetit rajonal dhe më gjerë të hekurudhave. Prandaj, ne e mbështesim”, u shpreh Hoti.
Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

RTKlive
(E plotësuar 10:42) Seanca parlamentare e thirrur për orën 10:00, ku është planifikuar vazhdimin i seancës me pesë pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 14 shtator, ka filluar punimet. Kryparlamentari Glauk Konjufca tha se më sallë gjenden 81 deputetë.
Kuvendi i Kosovës, me kërkesën e Shefit Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka nisur seancën me një minutë heshtje, në nderim të kolonelit Ahmet Krasniqi.
Një nga pikat e rendit të ditës është votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B” si dhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Përndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot do t’i kenë tri seanca plenare.
Pritet fillimi i seancës parlamentare

E. Osmani /RTK
(E plotësuar 10:35) Seanca parlamentare e thirrur për orën 10:00, ku është planifikuar vazhdimin i seancës me pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 14 shtator, ende nuk ka filluar.
Në sallë kanë arritur vetëm një numër i vogël i deputetëve.
Përndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot, do t’i kenë tri seanca plenare.
Kuvendi mban tri seanca plenare, njëra për rezervat shtetërore
Afet Bela / RTKlive

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të enjten do t’i kenë tri seanca plenare.
Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca e parë parashihet të mbahet në orën 10:00, që është vazhdim i seancës së kaluar plenare, ku do diskutohen pikat e papërfunduara.
Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 14 shtator 2023: Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Ndërsa seanca e dytë pritet të fillojë në ora 13:00. Rendi i ditës i kësaj seance është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla, raporton RTKlive.
Kurse seanca e trëtë ka këtë rend dite: Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, votimi i Projektligjit nr.08/L-221 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFË, Frankfurt Am Main (KFË) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit, votimi i Projektligjit nr.08/L-222 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”, votimi i Projektligjit nr.08/L-223 për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë, votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e dy (2) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media, shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti për shkarkimin e kryesueses dhe anëtarët e Bordit të Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Po ashtu në këtë seancë janë edhe këto pika: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-125 për Pronën Publike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-168 për Prokurorinë Speciale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-188 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/-L-187 për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit nr.08/L-032 të Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovë, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-245 për artin dhe kulturën, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-241 për vlerësimin strategjik mjedisor, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-242 për performancën energjetike të ndërtesave, shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-246 për administrimin e ndërtesave dhe lagjeve të banimit në bashkëpronësi dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-240 për Agjencinë e Regjistrimit Civil.























