Boshnjaku për Festivalin e Këngës në RTK: Festë për gjeneratat e reja
M.P. / RTKlive
Drejtori artistik i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës, Florent Boshnjaku, një ditë pas publikimit të 18 këngëve garuese të edicionit të parë ka dhënë një intervistë për transmetuesin publik duke shpalosur detajet e këtij rrugëtimi muzikor.
Në bisedë me gazetaren e RTK-së, Dafina Smajli ai ka thënë se ky festival është mundësi tejet e mirë për talentët e rinj.
“Festivali kur është garues iu jep mundësi artistëve e autorëve të rinj të shfaqin diçka ku s’kanë mundësi, sidomos sot kur tregu jonë është i bombarduar. Mirëpo për me marrë pjesë në një festival që është live, i cili organizohet nga një ekip profesionale i një televizioni nacional, me gjithë atë ekip, skenë e ndriçim është shumë”, ka thënë Boshnjaku.
Ai ka thënë se surpriza më e madhe e edicionit të parë është diversiteti i këngëve të përzgjedhura.
“Synimi është që ta kemi një festë fillimisht, e dyta të kemi gjenerata të reja që do të mund ta prezantojnë veten si artist, kompozitor ose autor të këngës brenda festivalit”, ka deklaruar mjeshtri Boshnjaku.
Tutje drejtori artistik ka njoftuar se së shpejti do të hapet edhe konkursi për orkestër të Festivalit, ndërkaq në javën e parë të tetorit do të nisin edhe provat. E fundi i tetorit do të jetë i rezervuar për festivalin i cili synon që të jetë shpresë si shteg hapës për pjesëmarrje të Kosovës në garën evropiane të muzikës “Eurovision Song Contest".























