Tre serbëve për krime lufte, nga një muaj paraburgim
A.Sejda/RTK
Me kërkesë të Prokurorit Special, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgimit tre serbëve, Dragan Milloviq, Illija Elezoviq dhe Zoran Kostiq, nën dyshimet për krime lufte në zonën e Vushtrrisë gjatë viti 1999.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës lëshuan një komunikatë të përbashkët, ku njoftuan se janë arrestuar tre serbë nën dyshimin për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.
“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK...”, u tha në njoftimin e djeshëm të Prokurorisë Speciale.























